TIRANE – Elvis Gaçaj, i plagosuri i atentatit që ndodhi te lulishte “1 Maji” në kryeqytet, ku u vranë dy persona është “kryqëzuar” nga dëshmia e një vajze të re, minorene, e cila është gjetur nga policia e mbyllur në një banesë të marrë me qira.

Bëhet fjalë për të njëjtën banesë që dyshohet se përdorej nga ana e Gaçajt, si bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në këtë ambient, policia gjeti dhe një sasi prej 5 gramësh lëndë narkotike të dyshuar si kokainë dhe një peshore.

“Panorama” shkruan se gjatë pyetjes së të resë, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë përfituar të dhëna që ngrenë dyshime se Gaçaj shkonte herë pas herë në atë banesë, për llogari të përfshirjes së tij në shpërndarjen dhe shitjen e drogës në kryeqytet.

Burime pranë organit të hetimit pohuan se nuk përjashtohet mundësia që e reja të jetë shfrytëzuar nga i dyshuari në shpërndarjen e lëndëve narkotike në lokale nate në Tiranë. Ndërkohë, para gjyqtarit Gaxhi, i dyshuari Gaçaj ka thënë se sasia prej 5 gramësh e dyshuar si lëndë narkotike, e gjetur nga kontrolli policor, nuk ishte në pronësi të tij. Ai ka pretenduar se banesa i përkiste mikut të tij, Kevin Rugova, i cili mbeti i vrarë në atentat.

“Banesa ishte marrë me qira nga ana e Kevin Rugovës. Ishte ai që paguante për të. Unë nuk kam asnjë lidhje me drogën që është gjetur aty”,- mësohet të jetë shprehur Gaçaj. Përmes avokatit të tij, Ilir Murati, i dyshuari ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari Gaxhi ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke e lënë atë në “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb