Ashtu siç ne plakemi nga jashtë, ashtu edhe çdo organ yni fillon “të plaket” nga brenda. Edhe me arteriet ndodh po e njëjta gjë. Mendohet se ateroskleroza nis që në moshën 12 vjeçare, ndërkohë disa studime tregojnë që nis në moshën 20 vjeçare. Gjithsesi, ateroskleroza është depozitimi i kolesterolit “të keq” në arterie, kryesisht në ato me diametër të vogël. Kolesteroli qëndron në dy forma, në atë LDL dhe HDL. Ai transportohet nga mëlçia në organe me formën LDL dhe kthehet mbrapsht në mëlçi, kur është në sasi të tepërt në inde, me anë të formës HDL. Kuptohet tashmë që një HDL e lartë na mbron nga depozitimi i lartë i kolesterolit në inde, dhe një LDL e lartë shton depozitimin e kolesterolit në inde. Ndaj dhe forma LDL-kolesterol e lartë konsiderohet si shenjë alarmi për aterosklerozën.

Kur nis ky proces, fillojnë të dëmtohen me radhë gjithë shtresat e arterieve duke e ngushtuar kalibrin e tyre, derisa arrin një fazë kur nuk kalon dot mjaftueshëm gjak përmes ngushticës së krijuar dhe indi që vaskularizohet nga ajo arterie nuk oksigjenohet normalisht. Këtu fillon të duket problemi, sidomos në rastet e prekjes së arterieve koronare, pasi fillon që miokardi të mos funksionojë normalisht. Personi ndjen dhimbjen shtrënguese anginoze, tipike e ishemisë, apo e infarktit, e cila fillon në kraharor, vazhdon në nofull dhe përhapet në shpatullën e majtë, krahun e majtë e deri në gishtin e vogël të dorës.

Por si mund të shmanget një ngjarje e tillë, e cila mund të jetë edhe vdekjeprurëse për individin? Ky proces është një ngjarje fiziologjikë që mundet thjesht të reduktohet, por jo të shmanget. Rekomandohet aktiviteti fizik. Duke kryer rregullisht aktivitet fizik dhe duke mos qenë pro jetës sedentare, ju humbisni energji dhe mund t’i largoni në këtë mënyrë edhe yndyrnat e tepërta duke u marrë me aktivitet sportiv. Mjaftojnë edhe 30-40 minuta ecje në ditë për të jetuar shëndetshëm.

Rregulloni dietën tuaj. Është një faktor tepër i rëndësishëm. Mos konsumoni shumë ushqime jo të shëndetshme, ushqime të pasura në yndyrna, produktet e brumit. Konsumoni më tepër frutat dhe perimet. Gatuani me pak vaj dhe mos e teproni. Konsumoni vajin e ullirit që përmban yndyrna bimore, si dhe produktet e bulmetit me sasi të vogël yndyrne. Edhe pse mund ta privoni veten nga shumë ushqime që mund t’ju pëlqejnë, përsëri duhet të kuptoni se shëndeti vjen përherë i pari. /bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb