Nga: LEONARD OLLI*
Hipotezat e ngritura këto ditë nga disa të përditshme helene, se Shqipëria po kërkon ndryshime kufijsh mes dy shteteve, sigurisht që tingëllojnë shumë qesharake në Shqipëri e më gjerë, por jo në mjedisin tërësisht të çoroditur grek nga kriza e skajshme ekonomike.
Por, kushdo që e njeh mirë Greqinë, e kupton menjëherë se pas analizave mediatike fshihet politika, e cila si zakonisht nuk humb aspak kohë për përfitime elektorale dhe jo vetëm. Në realitetet ballkanike nacionalizmi është përdorur pacipësisht si një kamerdare shpëtimi.
Forcat opozitare greke apo qarqet ekstremiste po tentojnë që qeverisë aktuale, përtej dështimit në aspektin e rimëkëmbjes ekonomike, t’i shtojnë dhe keqmenaxhimin e agjendës kombëtare. Ajo çka në pamje të parë duket si paradoksale është fakti se, qeveria, indirekt u ka lënë rrugë të lirë këtyre spekulimeve. Për fat të keq, me sa duket, edhe vetë qeverisë “Cipras” i vjen për shtat në këtë çast skenari i fantazimit nacionalist, pavarësisht kostos. Premtimet paraelektorale u terrën krejtësisht, situata ekonomike vijon të përkeqësohet dhe përballja pa kompromis me huadhënësit dhe BE-në, sikundër kishte premtuar, tashmë është një aventurë e dështuar, fakt që e ka nxjerrë atë zbuluar para qytetarëve të vet. Ky skenar, duket se i shërben për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga gjunjëzimi i saj para të gjitha kushteve që i imponon BE, FMN dhe kreditorët e tjerë. Para këtij dështimi të Cipras shpreson se kauza nacionaliste mund të shpërqendrojnë grekët dhe të krijojë një shtegdalje emergjence. Pikërisht në kuadër të këtij shpërqendrimi, pak ditë më parë, ministri i Jashtëm Koxias, anuloi një takim të programuar me ambasadorin shqiptar e më pas la të nënkuptohet se ka vendosur të mos marrë pjesë në konferencën ndërballkanike të ministrave të Jashtëm në Tiranë (SEECP), që do të mbahet më 22 maj.
Por vetëm ky vendim nuk mund të ishte një lajm çorientues nga hallet e ditës të grekëve. Kështu që, në një version hollivudian, mediat zgjerojnë gamën e aktorëve dhe përfshijnë në skenar Turqinë, “armikun” e përbetuar për helenët dhe mikun e shqiptarëve “myslimanë”. E përditshmja greke “To Vima” nënvizon: “Në këtë pikë është i qartë ndikimi i Ankarasë, e cila investon në marrëdhëniet me Tiranën, siç dëshmohet nga vizita e fundit e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan”. Për më tepër, kur presidenti Erdogan na është takuar dhe me drejtuesin e PDIU-së, njohur ndryshe te ne si partia e çamëve, gjithçka tingëllon edhe më “bindshëm”. Kontradiktat për shelfin kontinental në detin Jon dhe krahina e Çamërisë, me Artën dhe Prevezën në zgjatimin jugperëndimor të Greqisë, janë shkaqe të mjaftueshme për të hedhur në qarkullim kartën e ndryshimeve të kufijve në rajon, duke fajësuar Shqipërinë. Sigurisht që ky “argument” ngjiz edhe më shumë, pas deklaratës foshnjore të kryeministrit Rama për bashkimin klasik të Shqipërisë me Kosovën nëse kjo nuk ndodh shpejt në kuadër të BE-së. Ideja e fabrikuar nga vetë fqinjët tanë mbi rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”, shfaqet si një kërcënim real, duke bashkuar pa dallim gjithë qarqet antishqiptare në rajon. Dhe, sigurisht, Rusia nuk anashkalon asgjë dhe përpiqet sa më shumë të tensionojë situata, me deklarata lufte e gjaku, për të shmangur vëmendjen nga aneksimi i Krimesë dhe përplasja me Ukrainën në tërësi.
Më shumë se kaq nuk u duhet ekstremistëve grekë, të cilët ecin qetësisht në gjurmët e Gruevskit, por me metoda më alla “perëndimore”, pasi si vend anëtar i BE-së, nuk mund të shpalosin skenarë lufte në versionin “Kumanovë” (sigurisht, pa harruar sulmin e armatosur të paramilitarëve grekë në vitin ‘94, brenda territorit shqiptar, në kazermën e Peshkëpisë, ku vranë dy ushtarakë shqiptarë). Asi i nacionalizmit rëndom përdoret në rajonin tonë dhe Greqia gjithmonë nuk heziton ta hedhë hapur mbi tavolinë. Herë në përplasje me Shqipërinë për Himarën apo të drejtat e minoritetit grek në tërësi, herë me Maqedoninë për çështjen-gangrenë për emrin zyrtar të saj apo dhe fërkimet e përhershme me Turqinë, për Qipron apo kufijtë detarë mes Turqisë dhe Greqisë. Ky nuk është rasti i parë dhe, për fat të keq, nuk duket të jetë as edhe i fundit, ku qarqet e caktuara përpiqen ta shfaqin Greqinë në rolin e viktimës.
Vatrat e nxehta të ultranacionalizmit në rajon, si një vullkan i fjetur, nuk harrojnë të aktivizohen sa herë që politika në rajon ka agjenda private, larg interesave reale kombëtare të vendeve të tyre. Është e pafalshme për Greqinë, në cilësinë e një vendi anëtar të NATO-s dhe BE-së, të ripërdorë kartën e nacionalizmit si barkën e shpëtimit nga kriza e radhës, qoftë kjo ekonomike apo politike.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: