ATHINE– Ministria e Jashtme greke përshëndeti sot vendimin e qeverisë shqiptare për çështjen e ushtarëve grekë, të rënë gjatë Luftës Italo-greke, në vitet 1940-41, në territorin shqiptar.

”Çështja e varrezave për ushtarët e rënë grekë, e mbetur për një kohë të gjatë pezull, u diskutua në bisedimet e zhvilluara në Kretë nëntorin e kaluar. U ra dakort për disa hapa që po bëhen, të bazuara në një kornizë të veçantë kohore, për zbatimin e plotë të marrëveshjes përkatëse, me qëllim që kjo çështje, që para së gjithash është humanitare në natyrën e saj, mund të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

“Ne e mirëpresim përgjigjen e qeverisë shqiptare për këtë kërkesë të drejtë historike që tregon se dialogu dhe bashkëpunimi në një shpirt konstruktiv dhe me vizion të gjërë dhe pa paragjykime mund të çojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe krijimin e një perspektivave pozitive në marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve të rajonit.

Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi me qëllim që të ruajë interesat kombëtare, kultivimin e rregullave të fqinjësisë së mirë dhe kushteve për dialog, me një këndvështrim drejt ndërtimit të së ardhmes përbashkët Evropiane që rajoni ynë e meriton”, përfundon njoftimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: