Nga ENIDA HIMAJ*

Ditën e djeshme, Agimi i Artë ka zhvilluar në kryeqytetin grek protestë. Krahas kërkesës për lirimin e anëtarëve të kësaj partie, janë dëgjuar edhe deklaratat e forta për dëbimin e shtetasve të huaj nga Greqia. Paralel me këtë protestë, kanë qenë edhe një grup të rinjsh që kanë manifestuar kundër fashizmit. Përshtypje të madhe ka krijuar fakti që për herë të parë, policët grekë që kanë shoqëruar dy protestat, nuk kanë qenë të armatosur. Mijëra grekë kanë mar-shuar në rrugët e Athinës, në një miting antifashist, në përgjigje të një tubimi që zhvillohej pothuajse në të njëjtën orë, nga anëtarë dhe përkrahës të partisë neonaziste “Agimi i Artë” vetëm një kilometër më larg.

“Nuk mund t’i lejojmë këta njerëz, që janë armiqtë e lirisë, të jenë në gjendje të demonstrojnë, të përhapin këtë ndjenjë urrejtjeje, që shoqërohet me sulme ndaj emigrantëve apo aktivistëve të majtë, që luftojnë për të drejtat e tyre”, – tha Efi Karidi, studente. Por qytetarët e Athinës, të cilët kanë parë protestat e ndryshme në katër vitet e fundit të përfundojnë në mënyrë të dhunshme, me përleshje të ashpra dhe gaz lotsjellës nga forcat speciale, tashmë janë përballur me një stil të ndryshëm të policisë, i kërkuar ky nga qeveria e re e radikalëve të majtë, që kanë ardhur në pushtet një javë më parë, me qëllim rikthimin e besimit të popullit te forcat e Rendit. Pranë një rreshti të autobusëve, që ndante dy mitingjet, kamerat kanë fokusuar karikatorët bosh të pistoletave të policëve, që kanë qenë thjesht mbikëqyrës të dy mitingjeve, pa skafandra dhe maskat kundër lëndëve kimike.

Ndërsa në mitingun e “Agimit të Artë”, që është mbajtur për të nderuar tre oficerë grekë, të vrarë në një aksident me helikopter 19 vjet më parë mbi ishullin Imia, pranë brigjeve turke, kanë mbizotëruar përsëri thirrjet për lirimin e liderit të kësaj partie dhe 5 ligjvënësve të tjerë të saj, të cilët ndodhen ende në burg në pritje të gjyqit, me akuzat për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale. “Nuk po bëjmë lutje, por po kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe dhënien fund të kësaj çmendurie”, – tha Ilias Panagiotaros, deputet i “Agimit të Artë”. Ky është mitingu i parë i kësaj partie, pas një fushate të qetë elektorale të saj, ku janë dëgjuar përsëri retorikat për dëbimin e të huajve, ndërkohë që qeveria e radikalëve të majtë ka premtuar dhënien e nënshtetësisë për të gjithë fëmijët e emigrantëve të lindur në Greqi. Zhvillimi i qetë i dy protestave nuk ka mbetur pa u komentuar nga mediat greke, por edhe ato të huaja.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: