Atletico Madrid dorëzohet para Real. Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone edhe pse fitoi me rezultatin 2-1 takimin e dytë gjysmëfinal, eliminohet si pasojë e humbjes 3-0 në ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu”.

Ashtu siç premtuan, “madrilenët e vegjël” e nisën me marshin e 5-të sfidën në shtëpinë e tyre duke kaluar në avantazh që në minutën e 12-të falë Saul Niguez që mposhti me kokë Keylor Navas. Por tronditja e vërtetë për “galaktikët” ishte tre minuta më pas. Antuan Griezman dërgon shifrat në 2-0 pas një penalltie të ekzekutuar saktësisht.

Nga i pari tek i fundit në “Vinsente Calderon” filluan të besojnë se kjo është nata e tyre. Nata ku do kenë mundësinë të hakmerren ndaj Real Madrid për dy finalet e humbura. Por edhe këtë herë nuk rezultoi ashtu. Isco pak para përfundimit të pjesës së parë i ngrin buzëqeshjen vendasve me golin që përveçse numerikisht, i rëndon shumë edhe psikologjikisht.

Atletico Madrid vs Real Madrid 2-1 (UCL 2016… by HdGoal
Pjesa e dytë luhet sa për statistikë pasi Atletco e pezmatuar dhe Reali i kënaqur me rezultatin rrezikojnë pak për të gjetur golin.

Për të tretën herë brenda katër vitesh Atletico duhet të largohet duarbosh nga Liga e Kampionëve vetëm prej Real Madrid.

Tashmë skuadra e drejtuar nga Zinedin Zidan është më pranë se asnjë tjetër për të fituar dy herë radhazi “Uefa Champions League”, gjë të cilën askush nuk e ka bërë që kur ky kompeticion mori këtë emër.

Në finalen e Cardiffi-t më 3 qershor i pret Juventusi që mposhti Monaco-n. Spanjollët dhe italianët janë dy nga 3 skuadrat që kanë marrë më shumë herë pjesë në finalet e Ligës së Kampionëve.

Për këtë mision, Simeone i ka besuar kësaj 11-she: Jan Oblak (GK), Diego Godín, Filipe Luís, Koke, Antoine Griezmann, Saúl Ñíguez, Fernando Torres, Yannick Carrasco, Gabi (C), Stefan Savić, José María Giménez.

Real Madrid-Zinedin Zidan: Keylor Navas (GK), Sergio Ramos (C), Raphaël Varane, Cristiano Ronaldo, Toni Kroos, Karim Benzema, Marcelo, Casemiro, Luka Modrić, Isco, Danilo.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb