Nga: JETON SELIMI *
El Ninjo” e nis me Atletikon aty ku e pat lënë. Dy gola të Torresit për të ndihmuar ekipin e tij që të eliminojë Realin e Madridit. Pas Superkupës së Spanjës, “Los Colchoneros” realizojnë një tjetër hakmarrje sezonale ndaj Realit të Madridit për finalen e humbur të Championsit në Lisbonë. Skuadra e Simeones i eleminoi merengesit nga Kupa e Mbretit me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Në “Santiago Bernabeu” përfundoi 2-2 me Realin që nuk mundi të përmbyste disfatën 2-0 të sfidës së pare. Atletiko në avantazh që në minutën e parë. Grizman përfiton nga gabimi trashanik në markim i Pepes për t’u nisur në kundërsulm duke i shërbyer Torresit një top, që “El Ninjo”, e kishte të lehtë për ta shtyrë në rrjetë me të parën. Goditje standarte e Krosit dhe me Oblak del keq, duke lënë portën bosh. Ramos kërceu mbi gjithë të tjerët për të shënuar me kokë. Barazimi ndezi Realin që u hodh në sulm por Atletiko rezistoi. Në pjesën e dytë sërish gol që në minutën e pare! Këtë herë ishte Ramos që gaboi rinisjen e topit, Grizman fluturoi drejt portës për t’i shërbyer Torresit, që kaloi Pepen dhe befasoi Navasin me një gol të mrekullueshëm. 2-1 për Atletikon. Krosim i bukur i Bejlit nga fundorja për Ronaldon, që ju vodh markimit për të shënuar me kokë golin e 2-2. Reali përpiqet të ndryshojë fatet e takimit, por Benzema dhe Izko nuk janë të saktë, ndërsa me kalimin e minutave kuptojnë se Atletiko i ka eliminuar. Juventusi shpartallon 6-1 Veronën në “Juventus Stadium” dhe kalon për në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ndonëse Alegri kishte zgjedhur të luante me formacionin rezervë, Xhovinko, Koman dhe Morata u shfaqën në formë shumë të mirë. Në pjesën e parë ishte “Milingona Atomike” që realizon nga një goditje dënimi, për të shërbyer më pas për Pereiran, me argjentinasin që vepron bukur dhe shënon golin e dytë. Sërish Xhovinko dhe Juvja shkon në pushim me rezultatin 3-0. Në pjesën e dytë është Pogba që vepron bukur për rezultatin 4-0 përpara se Nene të shënojë golin e flamurit për Veronën. Edhe Morata do të lërë gjurmën e tij nga pika e penalltisë, ndërsa golin më të bukur e shënon Kingslej Koman me një të djathtë të shkëlqyer. 6-1 dhe Juventusi bëhet gati për t’u ndeshur sërish me Veronën, kësaj radhe në kampionat.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: