NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Agjencia e Trajtimit të Pronave ka marrë në shqyrtim 8620 dosje në qarkun e Tiranës, të cilat janë në proces shqyrtimi. Regjistri i dosjeve në shqyrtim pasqyron numrin e dosjes, emrin e subjektit të shpronësuar, kërkuesin, llojin e pasurisë si dhe të dhënat në lidhje me sipërfaqen e njohur, sipërfaqen e kthyer dhe sipërfaqen e kompensuar. Në regjistër janë edhe të dhënat për çdo dosje për vendimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe problematika që ka çdo dosje, e cila pasqyron mangësinë në dokumentacion.

KOMPENSIMI

Dosjet ndodhen në Agjencinë e Trajtimit të Pronave në proces shqyrtimi do të trajtohen me ligjin e ri. Vendimi do të merret sipas rendit kronologjik të kërkesave edhe kompensimi do të përndahet sipas këtij rendi, me përjashtim të rasteve kur subjekti kërkon të përfitojë nga pagesa e përshpejtuar, ose kërkon të jetë pjesë e tenderit për kompensimin fizik në bazë të pronave që ka vënë në dispozicion ATP-ja.

LLOGARITJA
ATP do t’i japë përparësi kompensimit të truallit. Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare të vlerësuara financiarisht si tokë truall përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015 dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës. Neni 8 pika ‘A’ e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.

FONDI FIZIK
Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin nga institucionet që e kanë lëshuar atë. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. ATP-ja njofton publikisht nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, buletinit të njoftimeve zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të Pronave.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: