TIRANE– Agjencia e Trajtimit të Pronave në kuadër të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme pronë private, që preken nga ndërtimet informale, ka arritur të rrisë masën e kompensimit/shpërblimit për pronarët prona e të cilëve preket nga ndërtimet informale.

Deri në vitin 2013 shpërblimi për këta pronarë ka qenë në masën 57 % të vlerës së miratuar. Tashmë falë fondeve të akorduara nga Buxheti i Shtetit është rritur masa e shpërblimit nga 57% në 70 % të vlerës së miratuar.

“Në vijim ATP angazhohet se do të punoje për të arritur objektivin që brenda nje afati të arsyeshëm të arrihet në 100 % masa e shpërblimit, duke përmbyllur në këtë mënyrë një proces mjaft të rëndësishëm. Objektivi i qeverisë dhe i ATP-së është kryerja paralelisht e dy proceseve shumë të rëndësishme atë të nisur tashmë nga ALUIZNI për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe i kompensimit të pronarëve prona e të cilëve preket nga këto ndërtime nga ana tjetër. ATP ka bërë verifikimet përkatëse dhe ka përpunuar të dhënat për ata pronarë që kanë përfituar deri më sot 57 % duke miratuar permes ketij procesi dhe rritjen e masës së kompensimit/shpërblimit me 13 %”, thuhet në njoftimin e ATP.

Nga ky proces do të përfitojnë menjëherë shpërblimin 1487 aplikime me vlerë totale 1,052,503,131 (një miliard e pesëdhjetë e dy milion e pesëqind e tre mijë e njëqind e tridhjet e një) lekë.

Ndërsa për pronarët të cilëve u është miratuar vlera e shpërblimit në VKM-të përkatëse, dhe do të aplikojnë për herë të pare në vijim do të përfitojnë një masë kompensimi/shpërblimi prej 70 % të vlerës së miratuar.

Ky fond që shpërndahet sot permes ketij procesi, nuk prek fondin special të akorduar për kompensimin e pronarëve që disponojnë vendime të ish-KKKP-ve, ish-ZRKKP-ve apo ish-AKKP-së, por është një fond i vecante i krijuar nga të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (i ndryshuar).

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: