Për të gjithë ata që vizitojnë Pukën turistike, tashmë ofrohet një mundësi e re emocionuese: eksplorimi i natyrës së rrallë të qytetit verior nga ajri, përmes zipline-it më të ri në Shqipëri. Ky zipline është bërë një tjetër arsye për të vizituar këtë qytet malor.

Zipline-i është pjesë e parkut të lojërave të aventurës, i cili tani ofron një mundësi të shkëlqyer për të apasionuarit pas aktiviteteve të mbushura me adrenalinë.

Falë investimit më të fundit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, po nxirret në pah potenciali turistik i Pukës, duke e rikthyer atë në një destinacion të mirëfilltë turistik.

Për turistët që kanë provuar zipline-in, udhëtimi përmes tij mbetet një përvojë unike, e cila duhet të përjetohet nga çdo vizitor i qytetit malor.

“Zipline-i i ndërtuar në Pukë është një ndër më të shpejtët dhe më të gjatët në Europë, me një gjatësi prej 1200 metrash dhe një shpejtësi mesatare nga 80 deri në 110 km/h. Ai të ofron një ndjesi të jashtëzakonshme adrenaline, teksa kalon mes pyjeve të bukura të pishës dhe bredhit në qytetin piktoresk të Pukës,” u shpreh një nga përfaqësuesit e parkut të aventurës.

Kjo nismë është një shtysë e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në Shqipëri, duke e pozicionuar Pukën si një destinacion të veçantë për të gjithë ata që kërkojnë aventura dhe natyrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb