TIRANË- “Audio-përgjimi mes Denar Bibës dhe Ledio Biankut ka qenë thjesht një bisedë kafeneje mes dy miqsh”.

Kështu u shpreh sot kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja lidhur me audio-përgjimin e publikuar ditën e djeshme ku nënkryetari aktual i KQZ, Denar Biba akuzohej se shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku.

“Kur mendon se opozita e preku fundin s’ke parë vërtet gjë akoma. Dy miq Denar Biba dhe Ledio Bianku flasin në vitin 2014 në një kafe dhe del pas disa vitesh që na paskan bërë shantazh për gjykatën e Strasburgut”, tha Manja

Sipas Manjës, zbulime të tilla, vetëm, Lulzim Basha di të bëjë.
“Opozita e sotme, dje në pushtet, e di shumë mirë çështjen e pronave dhe detyrimet e qeverisë shqiptare, sipas vendimit-pilot të Gjykatës së Strasburgut. Qeveria e PD-së nuk bëri asnjë hap për rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut. PD ende nuk ka dhënë llogari për katrahurën që ka bërë me pronat në Shqipëri. Dhe merr guximin dhe kërkon llogari për një bisedë kafeneje mes dy personave”.

Manja tha se delegacioni shqiptar shkoi në vitin 2014 në Strasburg me një listë pronash dhe u miratua në vitin 2015.

“Atëherë çfarë qenka ky shantazh, ku biseda e dy miqve në kafe u miratua më pas në Kuvend. Lulzim Basha vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të zhytet thellë në ujin e ndenjur ku ka zhytur opozitën shqiptare. Na ka zënë taksirati që kur Basha ka marrë detyrën e specialistit të audio-përgjimeve”, tha Manja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb