TIRANE-Këshilltari ligjor ne PD, Gazmend Bardhi ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas dëshmisë që ka dhënë bashkë me deputetin Ervin Salianji në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Bardhi kërkoi që Prokuroria të fusë hetimet në drejtimin e duhur dhe se ai bashkë me Salianjin ka deklaruar për gjithçka që janë pyetur nga Prokuroria mbi faktet e bëra publike. Ai u shpreh se Prokuroria duhet të kishte sekuestruar ekspertizën pasi kjo ndihmon hetimet.

“Siç ju e dini ne sot ishim në cilësinë e personave që kemi apo që mund të japim të dhëna mbi hetimin që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sigurisht që faktet dhe argumentat tona tashmë janë publike. Jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm. Unë jam jurist dhe sigurisht që do të bashkëpunoj me organin e Prokurorisë sa herë që të thirrem por nuk mund të rri dot pa shprehur shqetësimin tim që kjo është Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje por jemi marrë ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm që i lehtëson veprimtarinë kriminale vëllait por jemi marrë ne që e denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt. Por ndërkohë nuk ju bën ju me dijeni dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit. Dhe prokuroria do të duhet të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan kryeministri sepse është një e dhënë që i ndihmon hetimet. Prandaj edhe thirrja ime publike ndaj organit të Prokurorisë është që të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji. Dhe drejtimi i duhur që i kërkon ligji është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në krim të organizuar dhe individët që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të Brendshëm.”- tha Gazemend Bardhi.

Pyetje: Ju konkretisht çfarë deklaruat?
Gazment Bardhi: Ne deklaruam gjithçka u pyetëm dhe gjithçka që kemi bërë publike me fakte dhe prova edhe gjatë këtyre ditëve.

Pyetje: Ju konkretisht për çfarë u pyetët?
Gazment Bardhi: Për gjithçka që kemi bërë publike mbi faktet dhe materialet që ne i kemi bërë publike. Të njëjtat fakte dhe materiale sigurisht që Prokuroria i disponon dhe ne kemi dhënë sqarimet tona mbi këto fakte dhe mbi këto prova.
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb