TIRANE- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili sulmoi kryeministrin Edi Rama lidhur me ekspertizën për audio-përgjimin e publikuar nga PD për çështjen ‘Babalja’ ku implikohet vellai i Xhafajt në pazare droge.

Në një dalje nga selia e LSI-së Vasili tha se prokuroria ka pranuar që ekspertiza ka paqartësi.

“Shqiptarët duhet ta marrin vesh se kryeprokurorja e konsideron kryeministrin si palë private, lidhur me ekspertizën për audio-përgjimin. Rama me provat nga privati, por që nuk i dorëzon. Nga një privat që ka bërë një analizë private. Prokuroria thotë se kryeministri ka çuar provën, por që është e paqartë për provën. Prokuroria ka nxjerre nje akt të paligjshem. Prokuroria mbylli çështjen e Ramës se kërkoi falje. Ne aktin e prokurorisë, kallëzues qe nuk ekzistojnë. Drejtësia është mbrojtëse e zullumeve te Rames. Kryeministri ben prokurorin dhe hetuesin, ben hetime paralele. Ekspertiza e Rames u bë para se te dilte “Babale”. Ku i gjeti zërat Rama qe beri ekspertizën?”, -tha Vasili.

Deklarata e plote:

Jam në këtë komunikim me opinionin e gjerë publik lidhur me një ngjarje shumë të rëndë që ka të bëjë pikërisht me bllokimin, refuzimin e kallëzimit të bërë nga përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, respektivisht prej meje dhe z. Edmond Spaho, lidhur me Kryeministrin e vendit për çështjen e audio përgjimit te Agron Geron Xhafës dhe ekspertizës gjoja të kryer nga kryeministri shqiptar. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që Prokuroria ka vendosur bllokimin e kësaj padie të bërë nga ne dhe mos fillimin e procedimit penal ndaj Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë.

Shqiptarët duhet të jenë shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, çfarë kemi kërkuar po e marrim edhe njëherë që t’ua bëjmë të qartë atyre dhe çfarë misioni të shëmtuar antiligjor, antishtet dhe në funksion të pabarazisë së shtetasve ka bërë Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme e ka vendosur këtë mos kallëzim, duke pretenduar që Edi Rama përfundimisht i është drejtuar një laboratori privat si një person privat dhe ka thënë praktikisht, tekstualisht këto fjalë: Prova e paraqitur që pretendohet në kallëzim, kallëzimin e bërë prej nesh është një analizë shkencore thotë Prokurori, e marrë nga një laborator privat nga palë private.

Shqiptarët duhet ta dinë që Prokurori ose që të jemi sa më objektiv, Prokurori s’ka bërë asgjë tjetër përveç se ka firmosur atë që është bërë gati në zyrën e Kryeministrit. Është analizë shkencore apo nuk është analizë shkencore, ky Prokuror nuk ka sesi ta dijë sepse nuk e ka këtë provë. Nuk e ka marrë Kryeministri. Dhe e dyta e punës shqiptarët duhet ta marrin vesh njëherë e përgjithmonë që për të shpëtuar Kryeministrin, Prokurori e konsideron ministrin një palë private. Kryeministri i vendit, Kryeministri në detyrë, qenka një palë private dhe i qenka drejtuar një pale private, për një punë private, që ka të bëjë me Ministrin e Brendshëm e për këtë provë private Kryeministri ka dalë publikisht e ka thënë që këtë ekspertizë që unë e kam bërë, kjo provë mua më mjafton dhe unë mbi këtë konfirmoj që mund të vazhdojë edhe ministri edhe qeverisja.

Për turpin e saj Prokuroria arrin në këtë konkluzion, ndërkohë që ajo nuk ka mundur dot të konkludojë si duhet një verifikim dhe një ekpertizë përkatëse, pasi edhe ajo e ardhur nga Anglia një ditë më parë ka paqartësitë e saj. Kryeministri disponoka një provë në dorë të cilën nuk e dorëzon sepse qenka një privat që paska bërë një analizë private. Po e njëjta Prokurori në lajthitje të plotë, që ta dinë shqiptarët çfarë ka ndodhur një për një, thotë që kryeministri ka dërguar këtë provë dhe po vetë thotë që është e pa qartë forma se si. Pra Prokuroria pranon që është edhe e pa qartë dhe nuk kuptohet gjë fare se çfarë ndodh, por në fund fare konkludon. Po kjo Prokurori, që kjo e paqarta, kjo privatja, kjo hiç gjëja, në fund fare pranon dhe i vë vulën që kjo qenka një analizë shkencore e bërë nga kryeministri.

Tani t’i shpjegojmë opinionit publik pse Prokuroria thjesht ka firmosur materialin që i ka bërë gati kryeministri. Dikush do thotë që ky është një provokim që bën opozita. Opozita qenka tendencioze dhe e padrejtë. Na ndihmon akti që ka formuluar vetë Prokurori, i cili nuk di gjë se çfarë ka firmosur. Një derdimen që ka firmosur një ekspertizë të qeverisë që e bën gati. Dhe shiko çfarë thotë, që ta kuptojnë të gjithë shqiptarët. Në fillim thotë palët paditëse, kush janë palët paditëse? Edmond Spaho për Partinë

Demokratike dhe Petrit Vasili në anën tjetër. Këta janë kallëzuesit. Prokurori në fund të faqes pasi thotë që kallëzuesit kështu e kështu, patakset, sepse ashtu ja kanë dhënë në zyrën e kryeministrit dhe thotë: Bazuar nga faktet e mësipërme Partia Demokratike e Shqipërisë pretendon, thotë ky. Ku është Partia Demokratike? Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjë padi. Kallëzuesit janë Edmond Spaho dhe Petrit Vasili. Çfarë është kjo Partia Demokratike? Apo zyra militante e kryeministrit që ka luftën maxhorancë-opozitë i ka thënë Partia Demokratike? Partia Demokratike nuk ekziston në kallëzim, pra është një kallëzues që nuk ekziston. Dhe ky i referohet një kallëzuesi që nuk ekziston. Pra ky akt është një akt i paligjshëm, sepse i referohet dikujt që nuk ka kallëzuar gjë. Kallëzuesit janë Edmond Spaho dhe Petrit Vasili. Vetëm një akt militant mund ta bëjë këtë gjë. Dhe të shkruajë Partia Demokratike kur ajo nuk ka bërë kallëzim.

Ky është turpi edhe profesional, turpi edhe politik dhe është thelbi që Prokuroria është thjeshtë dhe vetëm një mbyllëse e çështjeve. Pasi jam i detyruar që të kujtoj këtu që po kjo Prokurori mbylli një çështje skandaloze, ka arritur deri në këto nivele paturpësie, që kur Edi Rama i bëri thirrje policisë që hidhni uniformat dhe bëni vota për Partinë Socialiste. Pra bëri një faj shumë të rëndë penal, shkatërroi zgjedhjet në Shqipëri dhe gjithë policinë e bëri partiake dhe militante dhe kërkoi falje në Facebook, sepse e kanë mësuar 5 këshilltarë. Për këtë faj të rëndë penal Prokuroria e mbyll çështjen dhe i thotë ke kërkuar falje në Facebook.

Pra që ta themi thjeshtë për popullin, Edi Rama thotë që unë kam bërë faj, Prokuroria i thotë ti nuk ke bërë faj. Të gjithë fajtorët përpiqen t’i fshihen fajit, në të gjithë botën, gjithë jetën, dhe Prokuroria ka detyrimin ta zbulojë. Jo ai e pranon fajin dhe kërkon dhe falje në Facebook, Prokuroria i thotë ti nuk ke bërë faj. Ti pranon fajin por ti faj nuk ke bërë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë përfundimisht që shqiptarët nesër mund të gdhihen shpifësa, mund të gdhihen terroristë , mund të gdhihen hajdutë, mund të gdhihen dhunues sepse kështu thotë kryeministri. Dhe këta janë vetëm certifikuesit e akteve që përgatiten në para dhomat e kryeministrit dhe këta u vënë firmën. Këta derdimenë që firmosin këto akte nuk e dinë që së bashku me kryeministrin do përgjigjen edhe këta një për një. Se të shkruash në një akt të Prokurorisë, për kallëzues që nuk ekzistojnë, pra të citosh Partinë Demokratike kur ajo nuk është paditëse, do të thotë që e ke përdhosur dhe e ke shpërdoruar.

Çfarë ka legjitimuar tjetër? Që sot në darkë kryeministri mund tu marrë pronën shqiptarëve, ua shkatërron, u kërkon një falje në Facebook, iku prona. Mund t’u dhunojë të gjitha të drejtat e tyre që kanë jo vetëm pronësore, por edhe të drejta civile, nuk ka asnjë rëndësi. Kjo Prokurori që është shumë e kujdesur që gazetarëve që bëjnë punën e tyre, t’u marrë masën e arrestit, të insistojë që të arrestohen, të shkojnë në burg ata që bëjnë detyrën e tyre, që të përcjellin lajmin.

Ky që bën hetime paralele, bën dhe prokurorin dhe hetuesin, bën shtetin paralel, këtij i thotë aferim. Pra çështja është shumë e thjeshtë përpara të gjithë shqiptarëve , ka një Prokurori të egër, të paligjshme kundra tyre, mbrojtëse, bunker i vërtetë për çdo zullum të kryeministrit. Ndaj sot është dita për të ndarë qartë dhe prerë çështjet. Për çdo shqiptar është dilema, do të jetë i barabartë në shtetin e tij, apo do të jetë i poshtëruar, i nënshtruar, i shkelur nga një kryeministër, i cili ka rrëmbyer drejtësinë dhe e thashë edhe njëherë tjetër, bën edhe prokurorin, edhe hetuesin në të njëjtën kohë.

Ky akt i Prokurorisë është një turp dhe një skandal i rëndë antiligjor, është një dhunim i tmerrshëm i Kushtetutës dhe të ligjit, nga mbrojtës të rreptë të ligjit që duhej të ishte Prokuroria, është bërë palë në shkeljen e tij. Besoj që do të bëhet palë edhe në padinë tjetër që ne kemi depozituar, ku kanosen denoncuesit e krimit dhe merren për qafe dhe përkrahen dhunuesit dhe të gjithë ata që duan të dhunojnë shtetin ligjor, dhe përsëri këtu prapë jemi përpara dilemës, Kryeministri që mbron dhe dhunon horrat dhe viktimat janë ata që dënohen më rreptë nga Prokuroria, persekutohen dhe mbahen në burg.

Thashë, gazetarët mbahen në burg, njerëzit e thjeshtë që riparojnë një mur mbahen në burg, ata që bëjnë një kundra vajtje rrugore mbahen në burg, Kryeministrit i thonë, që ta fiksojnë shqiptarët, edhe kur i bëri thirrje Policisë, kryeministri tha “Më falni se kam bërë faj”, dhe Prokuroria i thotë ti nuk ke bërë faj. Këtë s’ka për ta dëgjuar historia e Shqipërisë. Vetëm një Prokurori e tillë, e turpshme, e paligjshme, e kapur deri në fund nga krimi mund të bëjë një veprim kaq të shëmtuar.

Akti i fundit i këtij bllokimi të kallëzimit penal nga ana e Prokurorisë, i vë vulën përfundimisht me duart e tyre, me ato që shkruajnë vetë, qartësisht situatës së një drejtësie të kapur dhe përfundimisht asaj që unë kam insistuar ta quaj një Reformë në Drejtësi, të cilën Edi Rama bëri të pamundurën ta kapte dhe ta varroste. Pra ta bënte një Reformë të vdekur në Drejtësi. Pasi një reformë e cila drejtohet kundër qytetarit dhe pro qeveritarit, nuk është reforma që qytetarët prisnin dhe donin, po ishte thjeshtë një instrument i ri për ti persekutuar dhe dënuar ata qoftë në mënyrë të pamerituar, e për ti lënë pa asnjë mbrojtje ligjore, në mëshirë të vetëm kryeministrit, të portalit të tij, të skizofrenisë të tij tashmë proverbiale, dhe në fund fare të një kaosi shtetëror dhe publik, i cili normal dhe në mënyrë të logjikshme e të natyrshme, ka pjellë këtë revoltën, e cila është e pashmangshme si një instrument i vetëm për të zgjidhur revoltën me një uzurpator të paligjshëm të pushtetit.

Në këtë luftën e padive ku njëra palë bën padi për palën tjetër, pala tjetër e padit për shpifje për padinë e parë, cili është qëndrimi i LSI në këtë mes?

LSI ka vetëm një qëndrim, që raporti me ligjin të jetë i barabartë për të tërë. Në qoftë se ky zotëria quhet kryeministri i Shqipërisë, manipulon, bën hetime paralele , për të sqaruar pyetjen tuaj duhet të dini që kjo ekspertizë që ky prokuror për turpin dhe faqen e zezë të tij, ka hedhur firmën, kryeministri ka bërë një ekspertizë ku ju e dini që flisnin dy persona, fliste ky Agron Xhafaj dhe fliste dhe ky Astrit Veliu (Babalja). Në ditën që kryeministri ka bërë këtë ekspertizë, dëshmitari X apo Babalja nuk kishte dalë akoma në dritë, sepse doli një ditë apo dy ditë më mbrapa mbasi kryeministri bëri ekspertizën. Pyetje që e bën populli i thjeshtë dhe jo një politikan: Po ky do verifikonte zërat? Ku e kishte zërin tjetër ku nuk e njihte njeri? Sepse ai u bë prezent një ditë më mbrapa.

Pra është shumë e qartë që as nuk ka bërë ekspertizë, por vetëm ka marrë misionet e mashtrimit publik, të jepte linjën dhe rrugën ku do ecte Prokuroria, ku po aty doli dhe strategjia e aktorëve, po atje u tha nga Edi Rama, pra një ekspertizë e manipuluar, një aktor që bëhet gati dhe në fund fare mbyllim procesin.

Tashmë jemi në një proces, i cili është tërësisht i hapur dhe ka provuar çdo hap manipulativ. Raporti ynë është një dhe vetëm një, zbatim i ligjit deri në fund. Kushdo që shmanget në këtë, ka një raport të papajtueshëm me drejtësinë në njërën anë dhe me të gjithë opinionin publik në anën tjetër.

Si e vlerëson LSI propozimin e qeverisë për një paketë anti shpifje?

Po nga kjo foltore e kam quajtur një përzierje të qartë ndërmjet maskarallëkut, idiotësisë, sot do të shtoj edhe skizofrenisë, se cila rëndon më shumë, po ia lë opinionit publik që ta zgjidhë. Por është një trinom maskarallëk, idiotësi, skizofreni dhe kaq ! Absolutisht as më shumë e as më pak. Ky kryeministër i ka edhe të parën edhe të dytën edhe të tretën. Sipas gjendjes psiqike rëndon herë njëra më shumë herë tjetra.

Çfarë hapash pritet të ndjekë opozita pas këtij vendimi të Prokurorisë?

Patjetër ankimim, përballje në gjykatë, publike, të hapur që shqiptari më i fundit të kuptojë që organet e Prokurorisë janë kundër tij dhe janë në favor të kryeministrit. Vetë shqiptarët duhet ti ndryshojnë këto raporte njëherë e përgjithmonë, ku çdo shqiptar nga Presidenti, Kryeministri dhe deri te qytetari i thjeshtë të jenë të barabartë përpara ligjit, ashtu sikurse drejtësia ka lindur që ditën kur ajo u shpik si instrument për të rregulluar raportet me ligjin

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: