TIRANË- Pas publikimi të një audio-regjistrimi nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, Partia Socialiste ka reaguar duke hedhur poshtë çdo insinuatë të tij. Partia Socialiste deklaron se “Koha kur Kryeministri i vendit urdhëronte nëpunësit civilë për tu angazhuar në fushata zgjedhore, ka mbaruar në 23 qershor 2013”.

“Koha kur Kryeministri i vendit detyronte nxënës e mësues të braktisnin mësimin për tu bërë pjesë e mitingjeve elektorale ka marrë fund bashkë me qeverisjen e Sali Berishës.

Por mesa duket, Saliu e ka mendjen ende tek manipulimet që ka bërë vetë, njësoj si në 2011 kur vodhi në tavolinë mandatin e Kryetarit te Bashkisë së Tiranës dhe ia dhuroi Lulzim Bashës me nëpunësit që çonte me lista detyruese në votim përmes drejtorive të burimeve njerëzore”, deklaron PS-ja.

Më tej Selia rozë sqaron opinionin publik se më 23 prill Partia Socialiste ka informuar për organizimin e ri elektoral ku drejtorët operacionalë dhe përgjegjësit e QV-ve janë pjesë e këtij organizimi.

“Gjithsesi, për të qenë transparent deri në fund me publikun, Partia Socialiste në datën 23 Prill 2015 (bashkangjitur lajmi i botuar http://ëëë.ps.al/te-reja/deklarate-per-mediat/) ka informuar për organizimin e ri elektoral në prag të zgjedhjeve lokale. Pjesë e këtij organizimi, siç shkruhet qartë edhe në njoftimin e datës 23 prill 2015 për strukturat e organizimit tonë elektoral, janë edhe drejtorët operacionalë dhe përgjegjësit e qendrave të votimit. Janë pikërisht këta drejtorë dhe përgjegjës të fushatës që po nis, risia e organizimit të Partisë Socialiste dhe çelësi i suksesit të saj elektoral”, përfundon deklaratën PS-ja.

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ramën se po përdor strukturat e shtetit për qëllime elektorale në zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb