TIRANË

Ka përfunduar pas 9 orësh nga nisja seanca në Gjykatën Kushtetuese seanca për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Seanca nisi në orën 10:00 dhe u ndërpre në orën 15:20, për të rinisur në 17:30. Ndërkohë që në 19:00 seanca u ndërpre për të dytën herë dhe seanca e radhës u vendos për ditën e enjte në orën 10:00.
Drejtuesja e Kushtetueses, Vitore Tusha u shpreh në nisje të seancës se kushtetuta parashikon një procedurë të veçantë që nuk është zhvilluar kurrë më parë.

Vetë Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme gjyqësore. Kreu i Shtetit përfaqësohet në këtë seancë nga Këshilltari i tij Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.

Shtyhet seanca për shkarkimin e Presidentit Meta
Ora 19:00- Shtyhet seanca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Seanca e radhës në Gjykatën Kushtetuese u vendor për të enjten në orën 10:00.
Duhet theksuar se Kuvendi qëndron i palëkundur për kërkesën e tij për shkarkimin e Presidentit. Seanca është shtyrë për të enjten në orën 10. Kjo është një seancë e gjatë ku gjyqtarët e Kushtetueses janë tërhequr për të marrë disa vendime të ndërmjetme. Në seancën e sotme përfaqësuesit e Presidentit kanë kërkuar gjithë kohën shtyrjen e seancës pasi kërkonin më shumë kohë. Në seancën e te enjtes do te jenë përfaqësuesit e presidentit ata që do te parashtrojnë argumentet e tyre. Por do të ketë një reagim nga Gjykata Kushtetuese për arsyet e shtyrjes. Ndërkohë Meta nuk u paraqit në këtë seancë.

Rinis seanca në Gjykatën Kushtetuese
Ora 17:31- Ka rinisur në Gjykatën Kushtuese seanca për shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta. Ne gjykate është depozituar një autorizim i Kuvendit për Erind Merkurin që të përfaqësojë Kuvendi.

Nga ana tjetër përfaqësuesi ligjor i Presidentit tha se kjo është dëshmia e radhës se i gjithë procesi hetimor ndaj Kreut të Shtetit është kryer në shkelje të Kushtetutës.

“Ky autorizim i firmosur nga kryetarja e Kuvendit paraqet një tjetër shqetësim për Presidentin. Kjo është dëshmia e radhës se i gjithë procesi hetimor ndaj Presidentit është kryer në shkelje të Kushtetutës”, deklaroi Dervishaj, pasi Mërkuri ka qenë i pajtuar si ekspert i jashtëm nga Kuvendi gjatë procesit të hetimit nga Komisioni Hetimor.

Diskutimet:
Bled Dervishi: Veprimi i autorizimit nga Kryetari i Kuvendit paraqit një tjetër shqetësim për Presidentin e Republikës dhe gjykata duhet ta ketë parasysh në shqyrtimin e themelit të çështjes për fakt se kuvendi, mos gabofsha, e ka zgjedhur si ekspert të pavarur gjatë procesit të hetimit parlamentar. Kjo është një provë tjetër se sa i pavarur ka qenë kuvendi, sa politike ka qenë iniciative në këtë proces të iniciuar, të vlerësuar ligjërish nga Komisioni i Ligjeve më pas nga ajo strukturë e konsideruar hetimor. Kjo është dëshmi e radhës që i gjithë procesi hetimor ndaj presidentit, kjo i vë vulë anshmërisë shkeljes së kushtetutës, shkeljes së parimeve themelore të shtetit të së drejtës, procesit të rregullti ligjor. Pra nuk ka listë të parime që nuk është shkelur.

Bushka: Zoti Erind Mërkuri ka qenë ekspert ligjor gjatë procesit të hetimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe është marrë si ekspert të së drejtës konstitucionalistëve sa i përket çështjes së të drejtësisë. Nuk është shprehur mbi vendimmarrjes e Kuvendit dhe sot nën natyrën e autorizimit që ka është vetëm për të bërë komente mbi pyetjet. Ne nuk mendojmë se jemi në kushtet e anshmërisë. Nuk ka aludime për çështje pavarësie apo qëndrime të njëanshme në këtë proces.

Erind Merkuri: Thirrja e tij është e detyrueshme. Kuvendi ka detyrim të thërrasë presidentin. Por thënë kjo, Kuvendi nuk është i lidhur të presë Presidentin.

Bushka: Është padiskutim një detyrim, njoftimi për të marrë pjesë në këtë seancë, ashtu si edhe kërkesa për procesin e një kërkesë për shkarkimin e presdentit të republikës të trajtohet me seriozitet. Detyrim është ta bëj këtë njoftim brenda objektivitet, por nga ana tjetër proces duhet të ecë. Është një kërkesë serioze dhe nuk duhet të mbarojë këtu. I janë ofruar mundësitë presidentit për të qenë në Komisionin e Ligjeve. Po ti referohemi edhe kërkesave të presidentit për të marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve.

Mërkuri: Nuk është qartë pse presidenti nuk përcaktoi një përfaqësues në këtë rast, nisur edhe nga serioziteti i çështjes. (Prania në komisionin e ligjeve) Pyetja nëntë, Janë rregullat e teknikës legjislative, si rregull shkrimi në njëjës nënkupton edhe shumësinë. Kuvendi nuk bën hetim penal. Kjo i takon prokurorisë. Është prokuroria që heton, në rastin tonë prokuroria e posaçëm. Nëse presidenti do të shpallej fajtor, atëherë hyn në lojë procedura parlamentare dhe nëse përbën krim, a është krim i rëndë apo jo? Duke qenë se në këtë rast veprimet e presidentit janë bërë publike dhe nuk kishte nevojë për një hetim të thelluar, afati 3 javor është konsideruar i mjaftueshëm. Nuk i pëlqeu vendimmarrja e gjykatës kushtetuese për ligjin e financimit të qeverisjen vendore, atëherë pse në atë shkresë e fut gjykatën në vorbullën duke thënë se legjislatura e ardhshme do ta rregullojë këtë nismë. Duke qenë se presidenti ka bërë një fushatë në favor të dikujt dhe në disfavor të dikujt ndikon në votën që do të shprehet. Në rastin e betimit, në fakt gjykata kushtetuese e Lituanisë, edhe shkelja e betimit përbën shkelje të rëndë të kushtetutës. Duke shkelur këtë detyrime, është shkelur vetë kushtetuta, ligjet e vendit, kodi zgjedhor, liritë dhe të drejtat e shtetasit nuk u lanë të formonin lirshëm opinionin e tyre dhe nuk i shërbeu popullit shqiptar. Nuk mund të quhet më unitet përderisa është pozicionuar qartësisht në këtë rast. Që të shkelet kushtetuta nuk do të thotë se substancialisht duhet të atashohet me ndonjë parti tjetër.

Bushka: Në çdo rast, edhe në kohë krize respektohen parimet e shtetit të së drejtës. Në rregulloren e Kuvendit, si mocionet, parashikohen në rregullore dhe janë jo të vetmet mjete që janë në dispozicion të kuvendit për të trajtuar çështje të caktuara. Logjika është që të gjitha parashikimet në rregullore, në funksion të deputetëve, nuk janë dot të menjëhershme dhe lidhen me një kusht thelbësor se kush janë nismëtarët. Në rastin konkret, asnjë nga grupet, apo aq deputet sa parashikon kjo dispozitë nuk patën këtë qëllim siç mund të kenë pasur në raste të tjera. Është në vullnetin e atyre që janë deputet të zgjedhin me çfarë mjetesh të zgjidhin një situatë dhe varen nga natyra e çështjes, serioziteti dhe qëllimi i atyre që marrin nismën. Sigurisht nuk mjafton vetëm kërkesa e atyre që kanë të drejtë që të nisin një procedurë të caktuar, sepse rregullorja normon se si ushtrohet më tej kjo lloj procedure.

Kuvendi kërkon 2 orë kohë për t’u përgjigjur, Avokati i Metës shtyrjen e seancës, GJK tërhiqet për vendim

Ora 15:20- Përfaqësuesit e Kuvendit në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet shkarkimi nga parlamenti i Presidentit të Republikës Ilir Meta kërkon dy orë kohë që t’u përgjigjen pyetjeve. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se bëhet fjalë për mbi 50 pyetje. Pyetja kryesore është ‘Çfarë pasojash ka sjelle Ilir Meta me veprimet e tij?”, ndërsa pyetjet e tjera janë të karakterit teknik.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj kërkon më shumë kohë dhe shtyrjen për një ditë tjetër. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim, teksa seanca është vendosur të rifillojë në orën 17:30.

Ora 13:49- “Mbështeti forcat politike, nxiti dhunën dhe sulmoi institucionet”, Balla në Kushtetuese: Ja pse duhet të shkarkohet Ilir Meta si president

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ishte i pranishëm sot në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku po diskutohet mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta. Si përfaqësues i Kuvendit, Balla argumentoi vendimin për shkarkimin e Metës nga detyra. Sipas tij, Meta ka kryer aktivitet politik dhe ka dëmtuar imazhin e vendit.

“Meta ka kryer aktivitet politik. Meta dëmtoi imazhin e Shqipërisë. Ky është procesi i parë në histori, që gjykohet një president. Procedura e shkarkimit është e nevojshme për shkak të barazisë së të gjithëve para ligjit. Mbështeti forca të tjera politike, nxiti dhunë dhe sulmoi institucionet kushtetuese. Vënia në lëvizje e kësaj strukture për shkarkimin e Presidentit nuk është problematike. Presidenti ka funksion mbi palët, por mori pjesë aktive në zgjedhje. Kuvendi nuk synon të ndëshkojë presidentin apo pozicionin, por personin që kreu shkeljen. A mundet ta për përfaqësojë unitetin e popullit një president shfaqet palë, nxit dhunë, ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, sulmon gjykatën kushtetuese. Kushtetuta parashikon që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.”, tha Balla.

Ora 13:27 Meta kërkoi përjashtimin nga seanca të përfaqësuesve të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën

Teksa përfaqësuesit ligjor të presidentit Ilir Meta kanë kërkuar që mos të jenë të pranishëm përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën.

Pasi u tërhoq për të vendosur mbi pretendimet e Metës, Kushtetuesja vlerësoi se ajo është vënë në lëvizje nga kryeparlamentari me datë 14 qershor të vitit të kaluar, kohe kur drejtohej nga Gramoz Ruçi kur është përcjellë vendimi nr. 55 i Kuvendit.“Na rezulton se kryetari i Kuvendit ka autorizuar përfaqësuesit sipas ligjit. Pretendimet do te bëhen pjese e analizës dhe vendimmarrjes se gjykatës ne vendimin përfundimtar”, u tha në argumentet e gjykatës.

Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj bëri një kërkesë të re paraprake që lidhej me përfaqësuesin e Kuvendit në seancë. Gjatë fjalës së tij Dervishaj tha se “Legjislatura e Kuvendit ka mbaruar në shtator 2021 dhe ka filluar legjislatura e re. Presidenti e konsideron jolegjitime praninë e përfaqësuesve të Kuvendit”.

Sipas përfaqësuesit ligjor të Metës, tashmë është legjislaturë dhe përbërje e re në Kuvend. Ndërkohë, pretendimit të Dervishajt iu përgjigj përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, e cila theksoi se ky argument nuk qëndron. “Pretendimi nuk qëndron, pasi Kuvendi ka vijimësi. Vendimet e marra vijojnë. Një vendim i Kuvendit kurrsesi nuk behet nul se janë bërë zgjedhje te reja. Nëse vendimet e Kuvendeve te mëparshme bëhen nul, atëherë edhe Ilir Meta nuk është me president se duhej konfirmuar nga legjislatura e re.”, tha ajo.

Ora 12:48 “Gjyqtarët të njëanshëm të heqin dorë”, Kushtetuesja rrëzon pretendimet e Presidentit, ja argumentet për secilin anëtar të trupës gjykuese

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi përjashtimin nga procesi i anëtarëve të kësaj gjykate me pretendimin se janë të njëanshme. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se kërkesa për mandatin e Vitore Tushës është rrëzuar. Presidenca pretendonte se ajo vijon mandatin e saj nga 2018-ta e deri më tani jashtë afateve.

Lidhur me pretendimin tek afatit 9-vjeçar në detyre të Tushës, sipas Kushtetueses shkaqet janë të pabazuara në Kushtetutë. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka sjellë argumentet e saj secilin anëtar të trupës gjykuese. Konkretisht për gjyqtaren Marsida Xhaferrllarit, Kushtetuesja vendosi që kërkesa e Presidencës, për përjashtimin e saj nga trupa, është haptazi e pabazuar. E njëjta gjë është vendosur edhe për gjyqtaret Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toska.

Ora 11:15- Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë një vendim në lidhje me kërkesat paraprake të parashtruara sot nga përfaqësuesi ligjor i presidentit Ilir Meta.

Ora 10:08 – Gazetarja Klodiana Lala, e cila po ndjek zhvillimet e procesit tha për ‘BalkanWeb’ se Presidenti me shkresën me nr. protokolli 392 ka paraqitur një kërkesë paraprake në Kushtetuese, kërkesë e cila është dërguar në orën 09:00.

“Ka paraqitur një kërkesë paraprake e cila është administruar në protokoll para nisjes së seancës në 09:35, e që ka të bëjë me vlerësimin që duhet të bëjnë gjyqtarët e gjykatës Kushtetuese, e gjithë trupa, të shkaqeve për disa anëtarë, pasi sipas vlerësimit të Presidentit këto shkaqe vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarëve dhe që sipas ligjit detyrohen të heqin dorë nga shqyrtimi i kësaj cështjeje. Do mundohem t’i para shtroj në mënyrë të përmbledhur. Të gjithë i dimë arsyet dhe rrethanat, ashtu si edhe zvarritjet që kanë ndodhur në procesin e emërimit të gjyqtarëve kushtetues e që në rastin konkret duhet te ishte emëruar nga gjykata e lartë për zëvendësimin e saj, pas verifikimit e pikëzimit të renditjes së kandidaturave. Të gjithë i dimë arsyet se pse ende sot, Gjykata e Lartë nuk e ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur e për të vendosur emërimet në gjykatën kushtetuese. për këto cështje vetë anëtarët e kushtetueses janë shumë mirë në dijeni, qoftë për shkak të procesit të përzgjedhjes së detyrës që ata ushtrojnë si anëtarë të KED. Presidenti ka folur qartë dhe ka vite që denoncon gjithë veprimtarinë antiligjore të aktorëve apo zyrtarëve të caktuar. Ndërkohë që kjo betejë e presidentit vijon, nuk ka përfunduar, nga ana tjetër edhe e drejta për një proces të rregullt ligjor, pra për këtë proces, përfshin të drejtën për të gjykuar nga një gjykatë e pavarur e paanshme,dhe e caktuar me ligj.

Këtë parim e ka elaboruar, vete gjykata dhe GJNJD. Rregullimi mbi qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kushtetues, deri në emërimin e pasaradhësit është një e drejtë e parashikuar nga Kushtetuta. ”- është shprehur gjatë seancës, këshilltari ligjor i Presidentit.

Sipas Dervishajt ka shkaqe papajtueshmërie për Vitore Tushen, sepse ka 5 vite me mandat të përfunduar.

“Është një çështje që jo vetëm shtrohet para gjykatës siç thatë edhe ju për herë të parë, por lidhet me funksionin e shtetit të së drejtës ndarjes së pushtëve, dhe kryesorja unitetin e popullit. Parime që janë cënuar apo dhe janë dëmtuar rëndë për shkak të atyre ngjarjeve, zhvillimeve dhe ngjarjeve absurde që kanë shkaktuar krizë të paprecedentë Kushtetuese, politike dhe përfaqësimi në këto 3 vitet e fundit. Kanë sjellë si pjesë fundore edhe investimin për herë të tretë të Gjykatës Kushtetuese, me këtë çështje që nuk duhet të ekzistonte. paraqesim këtë kërkesë lidhur me anëtarët e trupës gjyqësore, ku vihet në dyshim paanësia e kësaj gjykate në këtë gjykim.

Ligji për Kushtetuesen parashikon të drejtën e gjyqtarit, që ka të drejtë të marrë pjesë, me përjashtimin kur përjashtohen rastet, kur; ka marrë pjesë në hartimin e shqyrtimit, apo ka deklaruar hapur kundër kësaj çështje, apo kur vihet në dyshim paanshmëria e tij. Kërkojmë që secili prej anëtarëve të Kushtetueses të vlerësojë faktet dhe më pas të shprehet me vendim, nëse secili prej tyre është para rasteve kur duhet të heqë dorë. Ka disa gjyqtarë që kanë shkaqe që të heqin dorë, ku disa prej tyre i zbuluam dje. Këto shkaqe në vlerësimin tonë janë; Gjykata Kushtetuese bën vlerësimin e Kushtetutës dhe zgjidh marrëveshjet kushtetuese.

Kjo trupë gjyqësore është në dijeni të sulmeve që kryeministri dhe maxhoranca ka ndërmarrë ndaj presidentit që në 2018 dhe në vijim. Mjafton të përmendim konfliktin për Teatrin Kombëtar, apo dhe emërimin e ministrit të Jashtëm, apo çështja e 30 qershorin, apo emërimin e anëtarëve të Kushtetueses për 2019. Për dy nga këto çështje presidenti është hetuar, ku është iniciuar dhe Komisioni i Venecias. Gjykata sot përbëhet nga 7 anëtarë, 6 prej të cilëve janë zgjedhur nga institucionet në konflikt, Kuvendi dhe Presidenti. Ndërsa anëtari i 7, kryetari është zgjedhur nga dy institucionet në 2008 dhe është përtej detyrën se tij, përtej mandatit të tij. Dy prej gjyqtarëve aktualisht me vendim të Kushtetueses iu është deklaruar përfundimi i mandatit që iu përfundon në 2 maj dhe 8 prill 2022. Nga organet e emërtesës, Presidencë dhe Kuvend, për emërimin e vakancave janë hapur aplikimet.

Në dritën e këtyre fakteve, përtej mandateve mbi afatet 5-vjeçare që është përtej çdo arsyetimi logjik, krijohet situatë që dukshëm vendos në dyshim paanësinë e gjykatës. Po ashtu është fakti tjetër që presidenti Meta pasi kryetarja ka shprehur interesin e saj për të kandiduar në 2018 në një tjetër funksion për kryetar të KLSH, e ka propozuar në Kuvend. Kuvendi ka anatemuar veprimtarinë e presidentit se po tentonte që përmes këtij propozimi të bllokonte veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Por kjo maxhorancë bllokoi KED për 2 vite, duke pamundësuar plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Një vlerësim i mirëmenduar, paraqesin shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e këtij organi. 3 anëtarë të tjerë të Kushtetueses, zonja Xhaferllari, Toska dhe Papajorgji, janë zgjedhur gjatë legjislaturës së 9, kur mes dy organeve ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar, ku Kuvendi mbajti të hapur një proces hetimor ndaj presidentit. Është kërkuar dy herë ndërhyrja e Komisionit të Venecias, për ndërhyrjen e presidentit në çështjen e datës së zgjedhjeve dhe për procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.”- tha ai ndërsa solli në vëmendje edhe sulmet e kryeministrit sipas tij në adresë të Kreut të Shtetit.

10:28 Gjithashtu Dervishaj ka sjellë në vëmendje edhe kërkesën për procedim disiplinor për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë shqyrtuar zgjedhjet e 30 qershorit. Ndër të tjera këshilltari ligjor i presidentit, bëri përgjegjës për këto shkelje Vitore Tushën dhe Përparim Kalon, duke theksuar se relatoi i cështjes është përcaktuar pa short, në shkelje të procedurave

Minutë pas minute:

Ora 8:20 Gjykata Kushtetuese do të japë sot vendimin mbi kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimt të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas maxhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Nëse gjykatësit kushtetues e gjykojnë të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lerë detyrën e lartë pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e maxhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

(ed.me/d.ç/m.m/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb