TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar sot raportin e auditit teknicien Armand Teliti “Mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, maj 2015”. Vetë Teliti ka deklaruar se nga verifikimet ka një shtim jo natyral të zgjedhësve në Kavajë me rreth 600 zgjedhës.

Pas paraqitjes së raportit, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti e ka quajtur këtë rast shumë të rëndë, duke e akuzuar kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi se ka shkelur ligjin për lëvizjen e qytetarëve. Kosovrasi tha se ai ka nënshkruar kontrata hua-përdorje për ambiente dhe jo për banesa, duke kërkuar nga KQZ të hetojë këtë çështje.

“Është rasti i dytë që na ndodh të ndeshemi në KQZ pas atij të Durrësit. Në aspektin formal të asaj sesi kreu i bashkisë ka manipuluar procesin, ky i Kavajës s’ka dashur t’ia dijë për asgjë. Ky nuk ka respektuar asnjë akt. Në këtë kuptim, ngjarja që ka ndodhur në Bashkinë e Kavajës është shumë e rëndë. Shtimi i 195 familjeve që ka sjellë 590 zgjedhës. Kemi të bëjmë me një kontratë hua-përdorje. Ti kryetar i Bashkisë që vendose ta regjistrosh atë, duhet ti japësh një banesë jo një stallë. Ky VKM është shkelur. Kryetari i Bashkisë ka dhënë kontrata hua-përdorje për ambientin, jo banesën. Kjo situatë e frikshme. Si mund të mënyrë kaq flagrante, një punonjës i shtetit të marrë përsipër gjëra të tilla. Kontrata e përdorimit duhet të ishte për banesë. Kjo është një lojë fiktive, e rrezikshme vetëm me një synim që të mbledhë në zgjedhjet e ardhshme 595 votues të tij.

Mendoj se kryetari Elvis Roshi është në kundërshtim të hapur me ligjin. KQZ ta thellojë këtë çështje. Të bëhet edhe kallëzimi penal për këtë veprimtari”, deklaroi Kosovrasti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj mbështeti hetimin e kësaj çështjeje duke thënë shprehimisht se bashkon zërin me Kosovrastin por tha se numri për të cilin flitet është realisht i vogël në krahasim me numrin total të votuesve, rreth 1%. Gjonçaj tha se  mbledhja e këtyre të dhënave tregon për transparencë të procesit.

“Flasim për numra dhe themi që auditi i Kavajës ka gjetur rreth 600 persona që janë shtuar në një kohë të caktuar. Nga auditi tjetër pashë që një muaj më parë ka pasur 1000 më pak, pra 1000 të larguar. Pamë në Durrës 2000 persona të shtuar. Nuk i thamë publikut që numri i votuesve është 200 mijë në Durrës, dhe 2000 janë 1.6 %.

Harrojmë të themi që Kavaja ka 60 mijë zgjedhës dhe 600 janë 1%, duhet të kemi parasysh edhe këto fakte. Këto të dhëna që u mohoheshin opozitës po paraqiten lehtësisht. Ne na vjen mirë, pra procesi është transparent. Bashkoj zërin tim me zërin e Kosovrastit për një hetim të thellë të këtij rasti. Është mirë që KQZ të hetojë këtë rast, sepse është shumë e thjeshtë, ligja i parashikon të gjitha procedurat për lëvizjen e qytetarëve. Në Durrës procesi më i qetë se sa duket. Në Kavajë duket problematik por po ecën mirë”, tha Gjonçaj.

Në përfundim KQZ vendosi që gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditëve, t’i kalojnë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Gjithashtu, KQZ vendosi që raporti shtesë i z. Teliti t’i kalojë Prokurorisë së Përgjithshme për hetime të thelluara.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb