I emëruar më 9 maj të 2022 Aurel Zarka ka marrë zyrtarisht detyrën e prokurorit të rrethit gjyqësor Vlorë. Prezantimi është bërë nga nën kryetari i KLP Tartar Bazaj. Lidhur me mungesën e prokurorëve në sistemin gjyqësor Bazaj tha se mungesa e theksuar evidentohet kryesisht në prokuroritë e rretheve.

“I tërë sistemi i drejtësisë ka mungesa të theksuara sidomos prokuroritë e rretheve janë shumë të ngarkuara. Në këto kushte do e zbusim pak me magjistratët e rinj që do të emërohen në korrik, presim që ata të amortizojnë problematikën, por gjithsesi nuk është se zgjidhet kjo çështje”, tha Bazaj.

“Komisioni i kualifikimit nuk ka lidhje me Këshillin e Lartë të Prokurorisë është institucion më vete i cili merret me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por gjithsesi përderisa ligjvënësi e ka shtyrë me dy vjet mandatin, do të thotë që ka krijuar problematika, pasi nuk është aspak e lehtë për të verifikuar secilin magjistrat”, tha më tek kreu i KLP.

Lidhur me mungesën e prokurorëve në Vlorë ka folur edhe prokurori Aurel Zarka.

“Duke pasur parasysh që ka një mungesë të theksuar prokurorësh, jemi më pak se gjysma, i bie që një prokuror bën punën dyfish. Me ndihmën dhe të institucioneve  dhe mirëkuptimin e qytetarëve mendojmë ta përballojmë derisa të plotësohet trupa”, tha Zarka.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb