NGA ADELA XHAMANI*
Këngëtarja Aurela Gaçe triumfoi sërish! Megjithëse shumë e dashur për publikun, ajo këtë herë mori një vlerësim ndryshe, atë të kolegëve. Sigurisht që fitorja e këngëtares së suksesshme nuk erdhi e papritur, sepse ajo u paraqit me një këngë shumë të bukur, me një performancë krejtësisht të sajën që gjithherë bën bujë, dhe i mori duartrokitjet që ditën e parë. Çudi do të ishte sikur të mos e merrte Aurela trofeun e “Kënga Magjike”. Mirëpo kësaj here këngëtarja nuk e deshi fitoren. Siç veprojnë zakonisht artistët e mëdhenj, Aurela vendosi të dilte në skenë, të kënaqej e të kënaqte. Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, këngëtarja rrëfen arsyet se pse nuk e dëshiroi çmimin e parë, aq të ëndërruar nga të gjithë kolegët e saj.

Aurela, jeni shprehur se nuk morët pjesë në “Kënga Magjike” për të fituar. A pati ndonjë moment gjatë finales që e dëshiruat fort çmimin e parë? A ëndërruat të thirrej emri juaj?
Jo, nuk e ëndërrova, sepse duhet të keni parasysh diçka: në momentin kur unë kam 22 vjet karrierë të mbushur plot, qoftë me dashuri, qoftë edhe me çmime që m’i ka dhënë kritika bashkë me publikun, jam në një pikë që e kam marrë dashurinë e publikut dhe nuk kam më nevojë për konfirmim çmimesh. Në momentin që publiku blen biletën të shohë atë që unë bëj, ky është çmimi më i madh që mund të kërkojë një artist. Kjo është e vërteta. Isha e qartë se pse vendosa të jem në “Kënga Magjike”. Po e sqaroj edhe një herë: kur unë bëj këngë të reja për publikun me klipe, është më e vështirë për të hynë në publik. Domethënë nevojitet kohë. Mirëpo ka njerëz që nuk kanë kohë dhe nuk i shikojnë ato që unë nxjerr. Ka raste që më thonë, “kur do të bësh ndonjë këngë të re?”, ndërkohë që kënga e re ka dalë. Kjo do të thotë që publiku nuk e ka shumë mendjen aty. Kurse te “Kënga Magjike” ka shumë vëmendje për të promovuar diçka të re. Pra ishte thjesht një menaxhim i mirë i situatës nga ana ime, me mendjen dhe nuhatjen time. Thashë: kam nevojë t’i jap publikut energjinë time, dhe vendosa ta bëj me një dalje në skenë. Desha të jap në skenë alegrinë e shpirtin tim. Çfarë tjetër mund të dua?!
Kolegët që ju kishin votuar, a ju erdhën pranë përpara finales për t’ju treguar sa pikë ju kishin dhënë?
Të vetmit njerëz që unë kisha miq aty dhe unë e dija që do të ma jepnin mua, ishin Vëllezërit Korçarë. Dihej që do të ma jepnin mua, sepse kemi kaq vjet që punojmë bashkë. Të tjerët nuk erdhën. Unë, ju dukem natyrë që bëj pazare?! Nuk doja të detyroja askënd të më jepte pikë, e as të më detyronin. Jam njeri antikonformist dhe natyrë që nuk bëj nga këto lloj marrëveshjesh. Në festival hyra për qejfin tim dhe nuk i kërkova askujt asgjë. Ata që e kanë ndjerë, e kanë ndjerë ashtu. Votimi është pak i keq, sepse ne votojmë njëri-tjetrin dhe mund të lindin edhe inate nga kjo gjë, por e vërteta është kjo. Ndihem keq që ndoshta nuk kam votuar më mirë se ç’duhej. Jo për tri pikët e para, por kam lënë edhe këngëtarë pa pikë, por aq ishte lista. Veç kësaj kemi edhe njerëz që i duam, dhe kjo të “detyron” të bëhesh e keqe. Diku duhet të mbash edhe hatrin e ndonjë shoqërie, është e pamundur të mos e bësh, dhe lë jashtë dikë që mund të meritonte më shumë. Më vjen keq që nuk u dhashë më tepër dorë të rinjve, ndonjë të riu që më pëlqeu e s’kisha ku e fusja. Por ngushëllohem me faktin që në karrierë kam këngë që s’kanë fituar vende të para, as të dyta e as të treta, por që publiku m’i do. Edhe ata e kanë kohën që të bëjnë rrugën e tyre.
Po më pas, a e ndjetë vërtet dashamirësinë e tyre?
Ata që më votuan, sigurisht që u ndjenë mirë, ndërsa ata që s’më votuan, normalisht që s’mund të ndihen mirë. E rëndësishme është që unë mora aprovimin e shumicës së tyre dhe të publikut. Frika ime më e madhe ishte publiku. Unë për ata jetoj dhe luftoj! Dasha-mirësinë, normalisht që do e ndjeja, sepse shumica më vlerësuan duke më dhënë çmim të parë.
Dikush mund të mendojë që është bërë një marrëveshje e pashkruar për t’ia dhënë çmimin e parë një këngëtareje me emër, që rikthehet në festival pas disa vitesh mungesë…
Këto janë manovra të mendjeve të këqija dhe, e dini çfarë? Të mos them ndonjë fjalë që nuk duhet ta them; nuk dua të merrem fare me këto budallallëqe, me “hapjen e kutive”. Muzika është bërë për të shijuar. Pikërisht prandaj nuk e doja çmimin, që të më linin rehat. Sepse, kur unë nuk fitova çmimin e parë me këngën “S’jam tribu”, të gjithë më thoshin në rrugë: Si nuk e fitove ti! Pasi doli Vaçe Zela në lajme dhe tha se ishte bërë një përllogaritje gabim dhe se çmimi i parë i takon këngës “S’jam tribu”, të gjithë ata që më thoshin se e kisha merituar, të nesërmen thanë: Kush e di kë ka futur. Ndaj doja të isha e qetë, larg çmimit. Siç e thashë, unë çmimin e publikut e kam marrë me kohë. Edhe nga kritika e kam marrë konfirmimin, kështu që nuk doja fjalë. Më mirë të më thonë “ti e meritove, pse s’e more?”, sesa të më thonë “e more, po a e meritoje vallë?”.
Meqë thatë se fitorja ishte e papritur, kush menduat që mund ta fitonte festivalin?
Siç i kam votuar, sipas renditjes.
Mendoni se do ta kishit marrë këtë çmim nëse këngën do ta këndonit pa Zerkën?
Bashkëpunimin me Zerkën e kam bërë me qëllim. Më pëlqeu edhe t’i jepja dorë një artisti të ri që më duket sikur është gati të shpërthejë. Nëse dikush më pëlqen, nuk e mendoj dy herë. Ia kam bërë unë ofertën Zerkës. Kur më pëlqen një gjë, thjesht e bëj; kam bindje dhe nuk kthehem pas edhe sikur të më dalë keq. Qëllimi im ishte të bëja zhurmë të bukur në publik, një zhurmë që të përflitej e të mbahej mend, një “Hou çike”, një gjë masive që e këndon gjithë salla paçka se nuk merr çmimin e parë. Në këtë moment ndjeva që nuk më intereson as edhe një lloj rryme tjetër përveç haresë. Kur ia kërkova këngën Adrian Hilës, menjëherë të dy ishim në një mendje që na duhej diçka ndryshe. Na duhej dikush që është ndryshe në rrymën muzikore që bën, por që përcjell po aq energji. Dhe, po t’i shikoni të gjitha bashkëpunimet që kam bërë, unë qëndroj Aurela ndërsa bashkëpunëtori është vetja e vet, dhe nuk i ndërhyjmë njëri-tjetrit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ato bashkëpunime që i kam bërë, i kemi bërë mirë.
Pse pikërisht në këtë moment? Jeni shprehur se jeni në një periudhë shumë të lumtur të jetës suaj. Çfarë ka të re? Mos do të bëheni sërish nënë?
S’ka asgjë të re, përse të mos jem e lumtur (qesh)?! Dhe, pse të mos ia shpreh unë publikut lumturinë time, a nuk meriton që ky publik të gëzojë?! Lajm të ri për bebe nuk ka moj zemër, por fjala juaj në vesh të perëndisë (qesh)!
Ku do t’i kaloni festat?
Për festa do të shkoj në New York.
Për punë apo për festë?
Edhe për punë, edhe për festë, sigurisht bashkë me familjen.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb