Shtatë fëmijë mbeten të shtruar në spital me lëndime të rënda pasi një kamion goditi një autobus shkollor që transportonte deri në 45 nxënës në periferi të Melburnit në Australinë juglindore.

Kamioni goditi pjesën e pasme të autobusit të shkollës dhe bëri që ai të përmbysej në një kryqëzim në Eynesbury, një komunitet gjysmë rural në perëndim të Melburnit, tha policia. Lëndimet e kokës, amputimet e krahut dhe lëndimet e dyshuara të shtyllës kurrizore u raportuan nga një zyrtar i spitalit.

Gjithsej 21 fëmijë janë marrë fillimisht me autoambulancë nga vendi i ngjarjes për ndihmë mjekësore dhe shtatë prej tyre kanë mbetur të shtruar në spital.

Një nga fëmijët ishte në kujdes intensiv, tha shefja ekzekutive e Spitalit të Fëmijëve në Melburn, Bernadette McDonald, duke vënë në dukje se fëmijët variojnë nga mosha 5 deri në 11 vjeç.

“Fëmijët kanë pësuar lëndime të shumta dhe traumatike duke përfshirë amputime të pjesshme dhe të plota të krahëve, lëndime të shumta dërrmuese, plagë të rënda të kokës dhe trupit, lëndime në kokë, lëndime me copa xhami dhe tre pacientë janë duke u monitoruar me kujdes përsa i përket dëmtimeve të shtyllës kurrizore. ”, u tha McDonald gazetarëve.

Ajo tha gjithashtu se spitali po ndihmonte disa familje jashtëzakonisht të traumatizuara, duke shtuar, “ne po punojmë jashtëzakonisht shumë për të ofruar atë mbështetje dhe kujdes traumatik që do t’u nevojitet jo vetëm tani, por edhe në javët dhe muajt e ardhshëm.”

McDonald tha se një fëmijë humbi një krah të tërë, por ajo nuk dha hollësi se sa nga të plagosurit kishin amputime të pjesshme.

Rreth gjashtë fëmijë u bllokuan përkohësisht në autobusin e shkatërruar, tha Autoriteti Vendor i Zjarrfikësve. Ekuipazhet e urgjencës hynë në autobus përmes një xhami në çatinë e tij, dhe xhami i thyer u përdor si dalje kryesore emergjente.

Shoferi i autobusit u dërgua në spital me lëndime të lehta.

Hetuesit e policisë po merrnin në pyetje drejtuesin e kamionit, i cili kishte dëmtuar pjesën e përparme. Shoferi i kamionit nuk u lëndua.

Në momentin e përplasjes, fëmijët po ktheheshin në shkollë, pasi kishin garuar në një garë atletike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb