Sulmet e Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe palestinezëve u kundërshtuan me demonstrata në Melburn dhe Sidnei të Australisë.

Mijëra australianë u mblodhën në Sidnei dhe Melburn, dy qytetet më të mëdha të vendit, duke dënuar sulmet e Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe palestinezëve dhe kërkuan që sulmet të ndalen sa më shpejt të jetë mundur.

Demonstruesit që u nisën nga Biblioteka Shtetërore të Melburnit dhe Bashkia e Qytetit të Sidneit, thirrën parrulla të shoqëruara me pankarta me mbishkrimet “Palestina e Lirë”, “Gaza e Lirë”, “Stop sulmeve të Izraelit”, “Izrael, jashtë” dhe “Ke turp, Izrael”.

Në fjalimet gjatë protestave u kritikua heshtja e qeverisë australiane ndaj sulmeve, ndërsa sulmet e Izraelit u përshkruan si “të paligjshme dhe çnjerëzore”.

Krahas muslimanëve, në protesta kishte edhe australianë të etnive të ndryshme, përfshirë disa grupe hebreje.

“Duam të ndalet gjakderdhja. Shtypja izraelite tashmë është tepruar. Kanë shtypur njerëzit dhe vazhdojnë t’i shtypin. Nuk do të ndalen, nuk kanë qëllim të tillë, derisa muslimanët të bashkohen dhe t’i ndalin”, tha Fatih Borova protestues me prejardhje turke.

Ndërkaq, Yasin Özer, i cili mbante një flamur turk, tha se krahas protestës, do të përpiqen të bëjnë çdo gjë për t’u dalë në mbështetje “vëllezërve palestinezë”.

Protestat, që zgjatën gati tri orë, përfunduan me një minutë heshtje dhe lutje për palestinezët e vrarë gjatë sulmeve izraelite/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb