Parlamenti i Australisë ka miratuar një ligj të diskutueshëm që detyron gjigantët digjitalë, si Google dhe Facebook, të paguajnë mediat lokale për përmbajtjen e lajmeve që ata shfaqin në platformat e tyre.

Në një deklaratë të përbashkët, shefi federal i thesarit, Josh Frydenberg dhe ministri i Komunikimit, Paul Fletcher, njoftuan se parlamenti miratoi legjislacionin që adreson pabarazinë e fuqisë negociuese midis bizneseve të medieve dhe platformave digjitale.

Sipas ministrave australianë, ligji i ri do të sigurojë që bizneset e medieve të shpërblehen për përmbajtjen që gjenerojnë, duke ndihmuar në mbështetjen e gazetarisë me interes publik në Australi.

“Sipas ligjit kodi i negociatave siguron një kornizë për negociata me mirëbesim midis palëve dhe një proces arbitrar të drejtë dhe të ekuilibruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e pazgjidhura”, shtuan ata.

Sipas tyre, kodi do të rishikohet nga Departamenti i Thesarit brenda një viti nga hyrja në fuqi, me qëllim për t’u siguruar se po jep rezultate që janë në përputhje me qëllimin e politikës së qeverisë.

“Me rëndësi është se kodi inkurajon palët të ndërmarrin negociata tregtare jashtë Kodit dhe Qeveria dëshiron të shoh përparim si nga Google ashtu edhe nga Facebook në arritjen e marrëveshjeve tregtare me bizneset e medieve australiane”, theksuan Frydenberg dhe Fletcher.

Google dhe Facebook kanë rezistuar ndaj ligjit që nga prilli i vitit të kaluar, por në fillim të këtij muaji Google zgjodhi të negociojë përderisa javën e kaluar Facebook bllokoi përdoruesit në Australi që të shohin apo të ndajnë përmbajtje të lajmeve në platformë.

Megjithatë, të martën qeveria australiane tha se Facebook është pajtuar dhe se në ditët në vijim do të ndryshojë vendimin për bllokimin e qasjes në përmbajtjen e lajmeve në vend.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb