Banka për Pagesat Ndërkombëtare (BIS) njoftoi se do të testojë përdorimin e monedhës dixhitale të centralizuar (CBDC) për pagesa ndërkufitare me bankat qendrore të Australisë, Malajzisë, Singaporit dhe Afrikës së Jugut.

Në deklaratën nga organizata e bankave qendrore kryesore në botë, BIS, thuhet se me Projektin Dunbar e menaxhuar nga Qendra e Inovacionit të BIS në Singapor, synohet të zhvillohet një platformë e përbashkët që parashikon përdorimin e parave qendrore dixhitale për pagesa tejkufitare midis 4 bankave.

Në deklaratë thuhet se platforma që do të krijohet do të mundësojë që institucionet financiare të bëjnë transaksione të drejtpërdrejta me njëra-tjetrën në monedha dixhitale të centralizuara, duke eliminuar nevojën për ndërmjetës dhe duke zvogëluar kohën dhe koston e transaksioneve.

Drejtor menaxhues i Qendrës së Inovacionit BIS në Singapor, Andrew McCormack në lidhje me projektin tha se “Puna jonë në monedhën dixhitale shumë-qendrore po hedh bazat për fazën tjetër”.

Nga ana tjetër, teksa bankat qendrore në të gjithë botën po hetojnë nëse duhet të lëshojnë versione dixhitale të monedhave të tyre kombëtare, sipas BIS të paktën 60 vende në botë po punojnë për të zhvilluar monedhën e tyre dixhitale.

Ekspertët theksuan se projektet CBDC janë ende në fillimet e tyre dhe mbeten lokale, duke shtuar se zhvillimi i rregullave dhe kornizave globale se si CBDC-të mund të përdoren ndërkombëtarisht teknikisht dhe politikisht është shumë e komplikuar.

Ekspertët gjithashtu deklaruan se Kina është përpara vendeve të tjera në krijimin e monedhave dixhitale.

Ndërkohë, BIS ka një projekt tjetër të quajtur “Multiple CBDC Bridge” i cili teston paratë dixhitale të centralizuara për pagesa ndërkufitare midis bankave qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Hong Kongut, Tajlandës dhe Institutit të Monedhës Dixhitale të Bankës së Kinës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb