Australia njoftoi sot se ka njohur vaksinën kineze Sinopharm për ata që duan të udhëtojnë në këtë vend.

Administrata e Mallrave Terapeutike të Australisë (TGA) tha se ka marrë “informacion shtesë që demonstron se këto vaksina ofrojnë mbrojtje dhe potencialisht zvogëlojnë gjasat që një udhëtar që vjen të transmetojë infeksionin COVID-19 tek të tjerët ndërsa është në Australi ose të sëmuret nga COVID-19”.

Njohja e vaksinës kineze nga Australia vjen kur marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në pikën më të ulët, të shkaktuar nga kërkesa e Kanberrës për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Vendi njohu gjithashtu Covaxin, të prodhuar nga Bharat Biotech e Indisë.

Kanberra kishte njohur tashmë dhe vaksinën tjetër kineze të prodhuar nga Sinovac, thuhet në deklaratën e TGA-së.

Njohja e vaksinave kineze dhe indiane “do të thotë që shumë qytetarë të Kinës dhe Indisë, si dhe vende të tjera në rajonin tonë ku këto vaksina janë shpërndarë gjerësisht, tani do të konsiderohen të vaksinuar plotësisht me hyrjen në Australi”.

“Kjo do të ketë ndikime të rëndësishme për kthimin e studentëve ndërkombëtarë dhe udhëtimin e punëtorëve të kualifikuar dhe të pakualifikuar në Australi”, shtohet në deklaratë.

Australia ka raportuar 172.030 raste të COVID-19, përfshirë 1.743 vdekje, që nga shpërthimi i pandemisë në dhjetor 2019.

Në mbarë botën, vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 kanë kaluar në mbi pesë milionë në më pak se dy vjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb