AUSTRI-Austria dhe mediat e kryeqytetit të Vjenës vazhdojnë të jenë të shokuara nga një vrasje e shkaktuar të dielen në mbrëmje në këtë shtet. Në raportet që s’kanë të ndalur për këtë vrasje, agjencia e lajmeve APA dhe mediat austriake njoftojnë se pas një grindjeje mes katër të rinjve shqiptarë, të gjithë nga Kosova, ka mbetur një person i vdekur, ndërsa dy të tjerë janë të plagosur, përfshirë këtu edhe një 19-vjeçare e cila ishte krejtësisht e pafajshme por që aksidentalisht kishte qëlluar afër vendit të ngjarjes.

Policia austriake ka thënë sot në Vjenë se sipas dëshmitarëve e gjithë ngjarja ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes katër të rinjve kur ishin duke udhëtuar në një tramvaj në drejtim të Hütteldorferstraße, ndërsa situata degjeneroi në stacionin Johnstrasse të Vjenës.

Sipas informacioneve të policisë njëri nga shqiptarët që ishin së bashku në tramvaj, i lindur në Prishtinë, i cili kishte aplikuar për azil në Austri, gjatë natës së diel rreth orës 20:30 minuta derisa udhëtonin me linjën e tramvajit 49, ka debatuar më dy persona të tjerë. “Kanë debatuar në një gjuhë të huaj”- kanë thënë pasagjerët njofton APA.

Kur tramvaji ndalet në stacionin Johnstrasse, pasi zbret njëri nga dy bashkëkombësit me të cilët ishin në tramvaj njëri nga shqiptarët nxjerr pistoletën dhe gjuan disa herë. Sipas policisë janë gjetur pesë plumba të kalibrit 9 mm, të cilët kapen të dy vëllezërit si dhe një femër 19 vjeçare, e cila priste për të hyrë në tramvaj.

Djali 28-vjeçar që ishte më i vjetër se vëllai i tij mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spitalin e Vjenës, ndërsa iu nënshtrua një operacioni kirurgjik prej disa orësh.
Vëllai tjetër 25 vjeçar, po ashtu i plagosur arriti që të mbijetojë nga operacioni, megjithatë gjendja e tij është shumë kritike dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve në spital. Vajza 19-vjeçare e cila u plagos aksidentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes të dy qytetarët nga Kosova të cilët dyshohen se janë vëllezër u larguan me shpejtësi, ndërsa policia i ka shpallur në kërkim dhe ka publikuar dy fotot të marra nga tramvaji ku ndodhi ngjarja. Policia austriake ka bërë apel për personat që kanë informacion të njoftojë në këtë numër telefoni 01/31310-33800.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb