Austria do të intensifikojë kufizimet e saj në lidhje me kalimin e kufijve duke filluar nga e hëna, në përpjekje për t’i reduktuar udhëtimet në vetëm ato më të nevojshme dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19.

“Kontrollet kufitare janë një lloj ndërprerësi i valëve përsa i përket zinxhirëve të infeksionit, që po bëhen më të rrezikshëm për momentin për shkak të mutacioneve të virusit”, tha sot ministri i Brendshëm, Karl Nehammer.

“Në kohë pandemike, është e rëndësishme të zvogëlohet udhëtimi në një minimum absolut”, shtoi ai.

Inspektimet e rastësishme që, deri më tani, Austria ka kryer në kufijtë e saj me Hungarinë, Slloveninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, tani do të intensifikohen ndjeshëm.

Personat që mbërrijnë nga vendet e tjera fqinje, si  Gjermania, Italia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, gjithashtu, do t’u nënshtrohen kufizimeve më të forta kufitare.

Çdo udhëtar që përpiqet të kalojë kufirin do të duhet të paraqesë një test negativ të COVID-19, pa përjashtime.

Gjithashtu, ata duhet të respektojnë një karantinë 10-ditore, të regjistrohen në internet dhe të tregojnë një test negativ COVID-19 çdo javë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb