KORCE – Mungesa e të dhënave për fëmijët autikë në Qarkun e Korçës ka mundësi reale të përmirësohet ndjeshëm falë zbatimit të një projekti të financuar nga OSFA (Sorros), i cili po mundëson deri diku depistimin në këtë zonë me pjesëmarrjen e Drejtorisë Rajonale dhe Shëndetit Korçë, Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Korçë, Shërbimi Social dhe NGO të ndryshme, të cilat operojnë në të njëjtën fushë. Ky proces shpjegohet në një interviste për gazetën, nga Çiljeta Simaku, psikologe klinike dhe drejtore ekzekutive KIDC (Korça Institute for Development of Children).
Znj.Simaku, a ka të dhëna për rastet e autizmit në Qarkun e Korçës dhe cilat janë mekanizmat që mund të ndihmonin për depistimin sa më të plotë të situatës?
Nuk kemi të dhëna të sakta për autikët pasi nuk ka pasur një krehje të zonës. Të vetmet të dhëna vijnë nga shërbimi social, i cili ka një bazë të dhënash për ata persona të cilët marrin grup invaliditeti, sipas diagnozës, por kjo nuk është e plotë. Për sa i përket depistimit prej muajit korrik ka filluar zbatimi i një projekti të financuar nga OSFA (Sorros), i cili po mundëson deri diku depistimin e popullsisë të Qarkut të Korçës ku janë përfshirë disa aktorë. Instrumenti i përdorur është MCHAT, një pyetësor identifikues për personat me risk nga autizmi.
Cilat janë eksperiencat, kapacitetet dhe shërbimet që ofron qendra juaj lidhur me këtë problematikë?
Qendra KIDC, është e fokusuar kryesisht në aspektin e trajtimit klinik, por edhe në thithjen e fondeve nga donatorë të ndryshëm nëpërmjet projekteve. Në staf ka 4 terapiste të përkushtuara, të cilat zhvillojnë terapitë sipas një programi të përcaktuar, i krijuar specifikisht për çdo fëmije pasi janë vlerësuar fushat e zhvillimit (25 fusha), sipas instrumentit ABLLS-R. KIDC ofron terapi individuale sipas programit ABA dhe terapi grupi. Gjithashtu, me ndihmën e “Autizem Speaks”, po mundëson trajnimin e disa prindërve me fëmijë autikë, për mënyrën sesi prindërit të jenë edhe trapistë për fëmijët e tyre, nëpërmjet një DVD të përshtatur në gjuhën shqipe.
Cili është bashkëpunimi me qendra simotra dhe me Ministrinë e Shëndetësisë?
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë na mundëson në vijimësi trajnimin e stafit dhe kualifikimin e tyre me programet më të mira, por edhe diagnostikimet fillestare. Me qendrën e Elbasanit kemi një projekt të përbashkët, atë që përmenda më sipër për trajnimin e prindërve. Ministria e Shëndetësisë, për aq sa jam në dijeni është në punë e sipër për krijimin e paketës së autizmit, e cila do të jetë një ndihmë shumë e madhe për të gjitha familjet me fëmije me autizëm.
A ka sot te ne strategji për kapjen në kohë dhe parandalimin e tij?
Autizmi sot flet qartë, kudo në botë, por edhe në vendin tonë. Në rang global shifrat janë të frikshme, gati 1 në 75 fëmijë është me autizëm. Ndaj, pranë Qendrave Shëndetësore duhet të implementohen instrumente, të cilët identifikojnë kapjen në kohë të autizmit, si një praktikë bazë pune. Kjo do të rriste maksimalisht shanset e fëmijëve të prekur që të minimizojnë simptomat e autizmit dhe, pse jo, të mos vuajnë më prej tij. Për këtë është shumë e domosdoshme që të hartohet një strategji kombëtare, e cila do të rritë sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin, në çdo familje dhe në komunitet në të gjithë territorin e vendit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: