Pjesa e katërt

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përksin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjëlencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dokumenti me materialin “Tepër sekret” të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me akuzat ndaj Kadri Hazbiut, për kohën që ai kishte shërbyer si ministër i Punëve të Brendshme

                                                                                                        Tepër sekret

MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË SHOKUT KADRI HAZBIU NË KOHËN KUR ISHTE MINISTËR I BRENDSHËM

 (Material i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH)

 Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, më datën 13 tetor 1982, mori në shqyrtim materialin e sipërm të Byrosë Politike dhe u njoh edhe me autokritikën që bëri Kadri Hazbiu për Plenumin e Komitetit Qendror. Konkluzioni i Plenumit të Komitetit Qendror ishte që Kadri Hazbiu, jo vetëm nuk kish nxjerrë mësime nga konkluzionet e Byrosë Politike, jo vetëm s’e kish marrë parasysh ndihmën që i dhanë shokët, por ai kishte bërë hapa prapa. Në Plenum qëndrimi i tij ishte arrogant dhe provokues. Autokritika e tij në fakt përbënte një sulm kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj. Pyetjet që i drejtuan shokët e Plenumit i trajtoi fare përciptë dhe me mendjemadhësi.

Plenumi i Komitetit Qendror krijoi bindjen e plotë se Kadri Hazbiu me qëllim fsheh të vërtetën para Partisë, se ai është në dijeni të veprimeve armiqësore të grupit të Mehmet Shehut, bile se vetë Kadri Hazbiu është pjesëtar i këtij grupi komplotist. Për këtë arsye, Plenumi i Komitetit Qendror jo vetëm aprovoi masat që propozonte Byroja Politike për përjashtimin e Kadri Hazbiut nga Komiteti Qendror dhe Byroja Politike, por vendosi edhe përjashtimin e tij nga Partia. Përsa u përket përgjegjësive penale, organet kompetente të veprojnë sipas fakteve dhe dokumenteve që disponojnë ose që do të dalin.

Gjithashtu, Plenumi i Komitetit Qendror për mungesë vigjilence përjashtoi nga radhët e tij Rexhep Kollin e Ndreçi Plasarin (qenia në Parti e këtij të fundit do të shqyrtohet nga Komisioni Qendror i Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë), ndërsa përjashtoi nga Komiteti Qendror dhe nga Partia Veli Llakajn e Nazar Berberin.

14.10.1982

Dokumenti sekret me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, në plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, më 13 tetor 1982

Byroja Politike e hodhi poshtë si të papranueshme autokritikën që bëra unë para saj, më kritikoi rëndë dhe mori vendimin përkatës. Në të njëjtën kohë më porositi e më këshilloi që në Plenum të jem më i thellë, më i çiltër e më autokritik në analizimin e gabimeve e të fajeve dhe në shkaqet e tyre. Gjykimi i Byrosë Politike, si për vlerësimin e gabimeve e të fajeve, ashtu edhe për autokritikën është plotësisht i drejtë, po ashtu është plotësisht i drejtë edhe vendimi për masat e marra ndaj meje.

Në këtë autokritikë që po bëj përpara Plenumit të Komitetit Qendror, po përpiqem të reflektoj sa më thellë, i frymëzuar nga këto konkluzione e vendimi i Byrosë Politike. Dhe i konsideroj ato si ndihmë të madhe e më të freskët që më jepet nga Partia. Them më të freskët, sepse edhe më parë e vazhdimisht shoku Enver e së fundi së bashku me shokët sekretarë të Komitetit Qendror më kanë ndihmuar për të përfytyruar sa më drejt rrezikshmërinë e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu, shkaqet e shtrirjes së saj, sidomos në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe gabimet e përgjegjësisë që bie mbi mua, veçanërisht si ish-ministër i Punëve të Brendshme për një kohë shumë të gjatë. Fakti e tregoi se megjithëkëtë ndihmë dhe dëshirën time, unë nuk arrita atë shkallë reflektimi që duhesh. Kjo më rëndon edhe më tepër përpara Partisë.

Përse nuk bëra dot këtë dhe si i realizoj tani të gjitha gjërat? Tamam këtë do të përpiqem me çiltërsi të shtjelloj përpara Plenumit. Në boshtin e analizës autokritike që po bëj, e quaj të drejtë t’i vë përgjigjet e disa pyetjeve legjitime, siç janë: Përse nuk u zbulua nga Sigurimi i Shtetit si armë e posaçme e Partisë, por nga Partia e shoku Enver, Mehmet Shehu e veprimtaria agjenturore e tij, dhe pse ndodh që të tilla ndërmarrje armiqësore me rrezikshmëri të madhe janë zbuluar kurdoherë nga Partia? Pse e si u bë Ministria e Punëve të Brendshme një çerdhe spiunësh? Dhe roli e përgjegjësia ime si drejtues i kësaj ministrie përmbi 25 vjet? Është fakt që armiqtë, në të gjitha kohët, kanë synuar, si një pikë nevralgjike të punës së Partisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe brenda saj Sigurimin e Shtetit. Pikërisht për këtë Partia dhe shoku Enver kanë drejtuar kujdes të veçantë që t’i ruajnë ato të pastra e të rrisin kompaktivitetin e tyre. Dhe në themel të kësaj pune të Partisë ka qenë dhe është edukimi me ideologjinë marksiste-leniniste, si dhe kuptimi e zbatimi i vijës së Partisë në proces të pandërprerë.

Siç gjykoj unë, mungesa e dobësia kryesore e punës sime e, bashkë me të, përgjegjësia e rëndë që kam, konsiston tamam këtu, se nuk munda, nga posti që mbuloja, të siguroja këtë edukim dhe këtë kuptim e zbatim të vijës së Partisë në këto organe. Si pasoja të pashmangshme janë zbatimi i vijës me luhatje sa oportuniste, aq edhe sektare, vigjilenca jo në performancë dhe kompaktiviteti i dobët që janë vërejtur në punën e luftën e këtyre organeve. Duket qartë se dëmet janë të mëdha, si për mos zbulimin edhe të spiunëve e armiqve të drejtuar nga Mehmet Shehu, për fshehjen e shumë prej tyre në vetë Ministrinë e Punëve të Brendshme, edhe për sabotimet që bënë e sidomos në cenimin e ligjshmërisë.

Po përse unë nuk e bëra detyrën siç e kërkon Partia? Për këtë ka disa arsye që do t’i shtjelloj në këtë autokritikë, por kryesorja është se, mesa duket, unë si drejtues në këto organe nuk e trajtova kurdoherë si detyrën më thelbësore edukimin ideologjik të njerëzve të lidhur konkretisht me normat e rregullat e vendosura nga Partia me këto organe. Këtë boshllëk armiqtë e fshehur e shfrytëzuan për të ndikuar sa të mundnin në favor të tyre. Dhe mundën t’i shterpëzojnë punët e Sigurimit në mjaft drejtime, të s’postojnë vëmendjen e tij nga vetja e tyre dhe të mbjellin me takt të kënaqurit me pak si truall ky i euforisë së pabazuar. Përgjegjësia ime për këtë mungesë është e plotë dhe direkt.

Unë tani e konceptoj më qartë se direkt prej meje është punuar dobët për të mos thënë fare keq, për sigurimin e kontrollit të vazhdueshëm të Partisë, veçanërisht mbi gjithë veprimtarinë e organeve të Sigurimit. Mesa duket kësaj detyre me rëndësi esenciale, unë nuk arrita t’i jap përparësinë që duhesh, nga ku çështjet të trajtoheshin me forcën e duhur në organizatat bazë dhe, sipas normave edhe në komitetet e Byrotë e Partisë. Siç gjykoj tani, tek unë u krijua mendimi se këto çështje kanë marrë rrugë, përvojë është grumbulluar e padashur e lashë këtë si një detyrë vetëm të aparateve politike të mirëfillta. Ky ish një gabim i rëndë, i cili bëri që të mos i njoh mirë gjendjen dhe njerëzit ashtu siç ishin në dinamikën e jetës. Për rrjedhim, rashë shpesh në subjektivizëm e në cektësi gjatë gjykimeve dhe ngritjes së çështjeve përpara Partisë në të gjitha instancat.

Nga kjo analizë që bëhet po e shoh qartë se, me gjithë pro-dispozicionin tim, nuk kam mundur të ngre në kohë e me forcën e duhur problemet më të rëndësishme në Komitetin Qendror e tek shoku Enver. Kështu i kam lënë shteg dobësimit të kontrollit e ndihmës së tyre. Po përse e kam lejuar që të dobësohet ky kontroll i Partisë direkt nga Komiteti Qendror e nga shoku Enver? Mua kurrë nuk më ka shkuar ndër mend se ky kontroll paska qenë i dobët, siç del tani sepse asgjë nuk është mënjanuar me dashje. Ky kontroll realizohesh nëpërmjet lidhjeve e raportimeve operativiste tek sekretari përkatës i Komitetit Qendror, kryeministri e zëvendëskryeministri, i ngarkuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe po ashtu direkt me shokun Enver (përveç punës së aparatit përkatës në Komitetin Qendror).

Këto lidhje të shumta vartësie krijonin herë pas here tek unë mendimin se gjërat i venë, pra, i di shoku Enver e për rrjedhim tek ai vija relativisht më rrallë si për informim periodik, ashtu dhe për çështje të veçanta që duhesh miratimi direkt i tij. Shënoj se shoku Enver më ka pritur sa herë që kam kërkuar, përveç kur më thërriste vetë. Unë duhej më shpesh e më në thellësi t’ia siguroja këtë informim direkt shokut Enver. Por mesa duket, këtu u ndikova sa nga lidhjet e vartësisë që ishin të shumta, ashtu edhe nga qëndrimi i rafinuar i armiqve Mehmet Shehu e Beqir Balluku, të cilët e kishin në majë të gjuhës të thoshin “Të mos e shqetësojmë shokun Enver për çdo gjë”, ose “e biseduam neve me të” etj., etj.

E kuptoj këtë faj për këtë besim ndaj këtyre armiqve, po ashtu e kuptoj përgjegjësinë që kam që nuk vendosa një rregull më të qartë për dhënien më shpesh në Komitetin Qendror edhe të informacioneve me shkrim e në rrugë zyrtare. Duke mos e bërë si duhet këtë rregull, mund të mbeteshin njoftimet e çështjet operative e koherente në mëshirën e kujtesës. E them sinqerisht se është për këtë arsye që në Byronë Politike unë thashë se mungesa e shokut Hysni si sekretari përkatës, e vështirëson sqarimin për informacionet e dhëna në forma nga më të ndryshmet dhe në asnjë mënyrë nuk kam dashur të shpreh mosbesim ndaj Byrosë Politike apo të njollos për gabimet e mia shokun Hysni Kapo. Është fare e qartë se dobësimi i kontrollit të Partisë mbi organet e sigurimit në të gjitha instancat ka sjellë mjaft të këqija e dëme, për arsye se unë nuk e sigurova dot këtë kontroll, mbi mua bie përgjegjësi e rëndë dhe e veçantë si ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Puna e Sigurimit, për veçoritë që ka, është e mbyllur, prandaj atje mund të kultivohen relativisht lehtë shumë të këqija. Por kjo luftohet me sukses, po qe se punohet mirë për edukimin, për njohjen e zbatimin e vijës e të direktivave të Partisë. Këtë unë nuk munda ta siguroj as në thellësinë e duhur dhe as në vazhdimësi. Për pasojë, u krijua gradualisht e lulëzoi pa e kuptuar kulti i armës dhe i njerëzve të saj, si të pagabueshëm ose, edhe kur gabohesh, përgjegjësia minimizohesh etj. Kështu gjetëm vend të ngrohtë të metat e gabimet, si dhe mjaft kuadro me defekte në karakter, me gabime të përsëritura në punë dhe disa edhe të papërshtatshëm për të punuar në këto organe. Tani del e qartë se, përveç dobësive të punës së Partisë dhe të mijat personalisht, këtë kult e ushqenin sistematikisht armiqtë me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun në krye, me qëllim që aty të kishin njerëzit e tyre, si dhe të tjerë që mund manipulonin e të përdoreshin prej tyre kur e përse t’u duheshin.

Me gjithë luftën që jam përpjekur të bëj kundër këtij kulti dhe euforisë, efekti i saj ish i dobët. Siç e analizoj tani, edhe tek unë zunë vend ky kult e kjo eufori. Mesa duket mua më vinin për hosh vlerësimet pozitive të punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nuk munda t’i shoh ato me sy kritik e të lidhura me mungesat e të metat, si dhe me ekzigjencat e kohës. Kështu u krijua tek unë mendimi i gabuar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme situata është e shëndoshë, aty ka kuadro të sprovuar e të aftë, gabimet në organet e ndryshme të saj tani mund të evitohen lehtë etj., etj.

Këtu e ka bazën vlerësimi i keq që unë i bëra edhe rrezikut për shtrirjen e puçit e të komplotit edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe gjykimi i ngushtë tani mbi shtrirjen e veprimtarisë agjenturore të armikut Mehmet Shehu, të cilën e konceptova të kufizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjithashtu mendoj se këtu e kanë burimin edhe mendimet subjektive në vlerësimin e kuadrit të këtij sektori, si dhe ndihma jo e thellë dhe jo e gjithanshme që i kam dhënë shokut Hekuran, nga koha që ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme.

Siç e gjykoj tani, këtu e ka zanafillën edhe mendjemadhësia ime që është shprehur në forma nga më të ndryshmet, si në marrëdhëniet me njerëzit, në shqetësimin e tepruar për parullat që u hapën në adresën time si dhe në gjaknxehtësinë e mungesën e taktit e të korrektësisë në mbledhjen e Byrosë Politike. E kuptoj se ky kult, në pamjen e tij të plotë, ka dëmtuar rëndë, sepse ai ka paguar futjen e frymës së shëndoshë të Partisë në njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ka hapur rrugë subjektivizmit në vlerësimin e punëve dhe të kuadrove, ka lejuar liberalizmin, sidomos në vendosjen e disiplinës kudo, si dhe në respektimin me rigorozitet të ligjshmërisë. Dhe së fundi ka ngushtuar tek unë këndin e shikimit për rrezikshmërinë e shtrirjes në Ministrinë e Punëve të Brendshme të veprimtarisë së armikut Mehmet Shehu e të bashkëpunëtorëve të tij. Për të gjitha këto, unë mbaj përgjegjësi të plotë, përpara Partisë.

Veprimtaria armiqësore (prej konspiratorësh e spiunësh të vjetër), e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe zhvillimi i saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme është favorizuar edhe nga familjariteti i sëmurë që ka ekzistuar në këtë ministri duke u futur në këtë familjaritet dhe unë vetë. Ky familjaritet dobësoi kritikën e kërkesën e llogarisë, si dhe vigjilencën e komp-aktivitetin e njerëzve të Sigurimit, sidomos në vlerësimin e gjërave, duke i gjykuar ato me vend e pa vend si shpifje, të sjellura me qëllim të keq etj. Ky familjaritet dobësoi forcën e perceptimit të analizës për t’i parë të lidhura çështjet e, si rrjedhim, zbehu edhe ngritjen e tyre në kohë e në vendin e duhur sipas të gjitha normave e rregullave të ligjëruara nga Partia. Ai më ngushtoi edhe mua këndin e shikimit e të vrojtimit të mjaft problemeve. Është ky shkak, që, siç gjykoj unë, më pengoi t’i ndërtoj marrëdhëniet e punës e të vartësisë kurdoherë nga pozita të partishme e luftarake edhe me armiqtë që kisha përreth.

Kjo i favorizoi ata, sepse u dha lustër taktikave të tyre të djallëzuara. Siç e kishin zakon, ata tentonin të futnin idenë e tyre mbi çështje të caktuara dhe, kur u kundërshtohesh, ata tërhiqeshin, duke i dhënë problemit karakterin e ndërrimit të mendimit për të mirën e punës etj. unë ndërsa bëra sa munda kundër tyre, një faj të pafalshëm kam që i konsiderova gjërat të ezauruara, nuk i lidha, t’i analizoja më thellë e t’i ngrija ato përpara Partisë e shokut Enver për gjykim. E kuptoj se kundër këtij familjariteti që Partia dhe shoku Enver na porosisnin ta shihnim si kërcënim në çdo kohë, veçanërisht në Sigurimin e Shtetit, unë nuk dita të luftoj me vendosmëri e me konsekuencë qoftë në punën e jetën e njerëzve të këtij sektori, qoftë në atë timen personale. Për pasojë u dëmtua rëndë puna e Partisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurse këta spiunë që e ushqyen, përfituan. Ata jo vetëm që u maskuan gjatë e dëmtuan sa mundën, por ia arritën që të mos viheshin në shenjën e zbulimit e të goditjes nga Sigurimi i Shtetit dhe nga unë që e kishim këtë për detyrë.

Unë mbaj përgjegjësi të veçantë që këta armiq të egër vepruan nën hundën time. E di se Partisë do t’i duhet shumë punë për të zhdukur këtë të keqe (familjaritetin) në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në Sigurim. Edhe pesha e kësaj barre do të më rëndojë ndërgjegjen gjatë gjithë jetës sime. Krahas gabimeve të mia si drejtues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilat kanë dobësuar punën e saj në çdo drejtim, tani është e qartë se në udhëheqje të kësaj ministrie e veçanërisht të Sigurimit kish pasur zënë vend edhe tradhtia. Agjentë të regjur e shumë dinakë vepruan atje vazhdimisht. Kështu ndodhi kur i drejtuan ata armiqtë Koçi Xoxe e Nesti Karanxhi me rrjetin e tyre. Por edhe më vonë ata u vunë nën drejtimin e një spiuni e konspiratori edhe më të rrezikshëm, Mehmet Shehut. Ky funksion i dha mundësi këtij armiku të krijojë e të fusë në këtë ministri një rrjet spiunësh e njerëzish të paformuar, të cilët i përdori sipas nevojës, edhe kur u bë kryeministër.

Me të tillë armiq, që dihen deri tani, si: Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Llambi Peçini e domosdo edhe me Maqo Çomon, Halim Xhelon, Panajot Plakun (për aq kohë sa qe) e ndoshta edhe të tjerë, ai së bashku me Beqir Ballukun që drejtoi direkt punët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si nga pozita që kishin vetë ashtu dhe me kanalin tjetër, mësonin çdo gjë që dinte Sigurimi.

Po me anë të këtij mekanizmi këta armiq së toku kishin mundësi që të ndikonin për keq ashtu siç dhe ndodhi në fakt në punët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Sigurimit veçanërisht. Duke e parë këtë veprimtari në dritën e zbulimit që u bë tani nga Partia, evidentohet qartë se edhe për kohën që kur isha unë ministër, ky rrjet spiunësh ish sistemuar e vendosur në mënyrë të tillë që Mehmet Shehu e Beqir Balluku të kishin në dorë pika kyçe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu deri më 1966, zëvendësministër i parë, e që drejtonte Sigurimin, ishte Mihallaq Ziçishti, në Drejtorinë e Tiranës Feçor Shehu e Halim Xheloja, i cili pastaj shkoi në Sigurimin e Ushtrisë, kurse Llambi Peçini ish në funksione e pozita të ndryshme në aparatin e Sigurimit. Memorie.al