Autoritetet ruse në Krimenë e aneksuar, kanë thënë se e kanë zmbrapsur një sulm ukrainas me dron, në qytetin e Sevastopolit. Krimea është gadishull ukrainas, që është aneksuar nga Rusia më 2014. Ky është vetëm një prej sulmeve të supozuara ukrainase me dronë, dhe tentimeve të sabotazhit, para festimeve të 9 majit.

Në këtë ditë, Rusia shënon fitoren e forcave sovjetike ndaj nazistëve, në Luftën e Dytë Botërore. Në Sevastopol, ku gjendet flota ruse, guvernatori Mikhail Razvozhayev, ka thënë se përgjatë natës janë nisur shumë sulme me dronë. “Mbrojtja kundër-ajrore dhe njësitet për mbrojtje, kanë zmbrapsur një sulm të ri”, në qytet, ka thënë ai të dielën.

Sipas tij, Ukraina i ka nisur më shumë se 10 dronë në qytet, duke shtuar se dy janë rrëzuar mbi det, dhe të tjerë e kanë humbur kontrollin. “Nuk është dëmtuar infrastruktura e qytetit”, ka thënë ai. Raportimet për këto sulme vijnë teksa lufta e Rusisë në Ukrainë hyn në muajin e 15-të.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: