Është përuruar në Tiranë godina e re e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish- Sigurimit të shtetit, që bashkon në një godinë arkivën dhe stafin çka pritet të sjellë lehtësi në mbarëvajtjen e procesit, paçka pozicionit dhe aksesueshmërisë.

“Nuk mund të përkujtohet diçka që refuzohet të kuptohet. Tani që arkiva është hapur i hapet rruga kujtesës aktive. Kemi grumbulluar arkivat kryesore por ende jemi në kërkim me negociatë të fondeve që nuk i disponojmë akoma. Modernizimi i kësaj arkive që lidhet me infrastrukturën, me serverat garanton siguri dhe mos rrjedhje të informacioneve”, tha Gentiana Sula.

E vendosur në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes, rikonstruksioni i godinës është mundësuar nga qeveria suedeze.

“Ne kemi kontribuar për këtë projekt të historisë mbi të shkuarën. Një projekt për pajtimin dhe të vërtetën, një projekt për t’iu dhënë dinjitet viktimave. Është e rëndësishme për të gjithë ne që të flitet për familjet e persekutuara politike të së shkuarës sepse kërkimi i së vërtetës, veçanërisht kur është e dhimbshme, bëhet e vështirë”, tha ambasadorja suedeze Elsa Hastad.

Në ceremoni, drejtoresha e arkivit u ndal te digjitalizimi, ndërsa mesazhet e dy deputeteve të parlamentit të Shqipërisë, u përqendruan te mospërsëritja e së shkuarës, ndalimi i autokracive dhe nevoja për të njohur të vërtetat për të ecur para.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb