Pedagogia dhe studiuesja Jonila Godole, e ftuar këtë pasdite në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetarin Edvin Parruca, u shpreh se Autoriteti i Dosjeve është një institucion shumë i rëndësishëm, por thotë se deri tani ende nuk është arritur rezultati i duhur.

Sipas Godoles, sa i përket hetimit të Krimeve të Komunizmit, deri tani më tepër informacion është marrë për viktimat, sesa për persekutorët, që sipas saj është me mjaft me rëndësi që të dihen se kush ishin.

“Autoriteti i Dosjeve, që në fillim u ngrit pa konsensus, maxhoranca vendosi kush do jetë pa marrë konsensus nga opozita për të pasur dhe ajo kandidatët e vet aty, e njëjta gjë është dhe tani.

Kritikat e mia në thelb kanë qenë për ta forcuar këtë institucion sepse mendoj se është një nga institucionet më të rëndësishme që kemi këtu, dhe ka pasur një detyrë delikate, nga njëra anë zbulimin e makinerisë së represionit të sigurimit, dhe nga ana tjetër bërja transparente për publikun të figurave që kanë qenë të lidhura me organet e represionit dhe sot mund të jenë në poste drejtuese.

Unë mendoj se më mirë ta ngremë institucionin edhe me problematika, sesa të mos e kemi fare.

Njerëzit mund t’i shikonin dosjet e tyre nëse do kishte pas një vullnet politik, mund të aksesoheshin me anë të ligjit të arkivit, mund të ishin tek arkivi i ministrisë së Brendshme.

Unë do kisha kërkuar tek ajo që para se të hapeshin aplikimet për kandidimi, të ishte bërë një rezume e plotë dhe të kishim dalë në disa përfundime se çfarë ka sjellë ky institucion sot.

Më shumë janë hapur dosje që diheshin, jemi marrë më shumë me viktimat, po nuk kemi informacione për persekutorët”, u shpreh Godole, ndërsa theksoi se është krijuar edhe një monopol për studiuesit, ku disa kanë më tepër akses dhe disa të tjetër me tepër vështirësi në aksesimin e informacioneve që kërkojnë.

Sa i takon debatit të shkaktuar për emrin e Simon Mirakës, ajo u shpreh: Zakonisht politika është përpjekur ta instrumentalizojë atë, dhe debatet dhe mënyra si kaloi atë ditë, ajo që më ra në sy ishte mosrespektim i procedurave, emrat u kaluan pa bërë votim, s’pati fare një procedurë votimi edhe pse kjo ishte live për publikun, s’kishte transparencë sa vota mori kush kandidat dhe nga kush. S’ka pse të ketë sekret aty. Kështu që sa i takon procedurës, votimi ishte mjaft problematik dhe politika ndërhyn me diskursin e saj, një herë përdor një emër, kësaj radhe i qëlloi zotit Mirakaj të ndërhynte.

Gjergj Marku, kryetar i shoqatës, me kontribut në këto 30 vite, nuk u votua.

Jam habitur si Nevila Nikaj, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit nuk arriti të mblidhte as firmat për tu futur.

Ka qenë një kaos i vërtetë procesi i votimit dhe nuk është marrë seriozisht nga askush.

Të fajësojmë shoqërinë në lidhje me situatën është gjëja më e lehtë që mund të bëjmë.

Në aspektin tjetër, ndaj kemi institucione. Ndaj është Autoriteti i Dosjeve, Instituti i Integrimit të të përndjekurve politik.

Nuk kemi një inventar. Secili institucion duhet të bënte punën e saj.

Institucionet shtetërore duhet gjithë këto vite të mblidhnin të dhënë dhe prova të pakontestueshme. Për këtë paguhen nga taksat tona.

Të identifikohen personat të cilët kanë lidhje me krimet e së shkuarës dhe emrat e tyre të bëheshin publik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb