Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka komentuar në emisionin “Pikat mbi i” në News24, publikimin e dokumentit nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit, ku pretendojnë se shtetasi I.M. që rezulton spiun në dosje është ish-presidenti Ilir Meta.

Boçi akuzoi Autoritetin e Dosjeve që po përdor metoda të ish-Sigurimit të Shtetit duke tentuar të bëjë pis emrin e ish-Presidentit me e-mail-e anonime.

“Unë do shtoja që është e trishtë që Autoriteti i Dosjeve përdor metodat e sigurimit. Edhe mënyra e justifikimit të informacionit të ardhur nëpërmjet një e-mail anonim, si dikur me letra anonime. Autoriteti duhet ti dënoj këto metoda jo ti përdorë vetë. Kjo tregon se ky Autoritet është i komanduar politikisht, pavarësisht se ka brenda tij figura të të përndjekurve politike. Një fant që ka të dyja pamjet që merret me autoritetin e dosjeve dhe po ta kthesh nga ana tjetër është vetë një mini-Sigurim”, tha Boçi.

Në vijim ai theksoi se kryeministri Rama ndihet i frikësuar nga riformatimi i opozitës, pasi përveç betejës që ka me Sali Berishën tashmë është shtuar edhe ish-Presidenti Meta me “Partinë e Lirisë”.

“Ky autoritet del e shfaq elementë të tillë të sigurimit dhe menjëherë i dërgon një letër Parlamentit, që është i pavarur, por falë forcës së kartonëve është një noteri e ekzekutivit. Është prej panikut që ka kapur mazhorancën prej rikthimit të Ilir Metës në politikën aktive. Sot është i çliruar nga kostumi i presidentit dhe ka dalë fuqishëm në arenën politike dhe ka sjellë disa risi jo thjesht si politikan por edhe si qytetar më kanë pëlqyer. Për shembull emërtimi i partisë, që ka dalë në formatin politik pasi më parë ishte lëvizje për një kauzë siç është integrimi. Ka një investim të madh prapa kësaj logoje dhe tregon që beteja politike do jetë shumë e ashpër. Duke vënë në panik Edi Ramën që luftën e ka me Sali Berishën dhe tani edhe me Ilir Metën. Ka lobuar përtej kufijve të Shqipërisë për Berishën dhe brenda Shqipërisë për Ilir Metën. Janë mënyra të sigurimit për t’i hapur rrugën të bërit politik lirshëm nga Rama. Qëllimi ishte politik dhe deklarata e tillë duhet të ishte, e këtillë politike dhe argumentuese. Ndërsa në pjesën e dytë kaloi në anën teknike, legjislative për të sqaruar çdo gjë që është bërë. Se sot ka një perceptim se dosjet e sigurimit janë dosje me rekrutime në faza të caktuara”, shtoi Boçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb