Dy kandidatët për vendet vakante të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Elsa Gega dhe Knidi Bashari zhvilluan të martën një seancë dëgjimore para deputetëve të komisionit për Ekonominë dhe Financat.

Kandidatja Gega gjatë fjalës së saj, premtoi angazhim për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg.

“Duke pasur parasysh që kontributi i këtij autoriteti është që të ketë në fokus konkurrencën e lirë dhe të ndershme për të ndihmuar konsumatorët dhe për ti mbrojtur ato dhe më pas në rritjen ekonomike, mendoj që edhe prezenca ime pranë këtij autoriteti do të jetë një ndihmesë e lartë”, u shpreh Gega.

Gega tha se ende AK është në hapat e para dhe duhet thelluar bashkëpunimi me qeverisjen vendore dhe me bizneset për të ruajtur pikërisht atë faktor dominues që është marrëveshja e ndaluar në formën e karteleve dhe abuzimi në pozitën dominuese që mund të ketë pjesa më e madhe e firmave, shkruan ata.

Ndërsa kandidati tjetër, Knidi Bashari siguroi për rolin e tij si një nxitës dhe avokat i konkurrencës dhe i interesave të konsumatorit, me synimin final që tregu të gjeneroje zhvillimin.

Pas prezantimit të bërë nga ana e kandidatëve, Komisioni për Ekonominë dhe Financat do t’i përcjellë seancës plenare raportin mbi seancën dëgjimore për vendet vakante të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb