TIRANE- Autoriteti i Konkurrencës do të nisë hetimin ndaj sistemit bankar. Shkak është diferenca e lartë në normat e interesit që aplikohen për kredi dhe overdraft kundrejt atyre të depozitave.

Për diferencën e lartë mes normave të interesit të kredive konsumatore, overdrafteve dhe depozitave, Shqipëria renditet e katërta në rajon, duke lënë pas Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, madje dhe Bullgarinë. Të dhënat për fitimet e larta të bankave vijnë pas monitorimit që Autoriteti i Konkurrencës i ka bërë tregut bankar. Në raportin e 2015, Autoriteti sqaron se monitorimi i tregut u krye pas shqetësimeve të shumta që janë ngritur në media, që bankat aplikojnë norma të larta interesi të kredive dhe norma të ulëta interesi për depozitat.

“Në përfundim të analizës së treguesve të sistemit bankar në tërësi dhe e sjelljes së bankave të nivelit të dytë në tregun përkatës, overdraft dhe kredi konsumatore, u konstatua se tregu bankar
paraqitet mesatarisht i përqendruar, ku asnjë nga bankat e nivelit të dytë nuk ka pozitë të ndjeshme në treg. Bankat aplikojnë norma të ndryshme për tre produktet bankare të analizuara. Diferenca midis
interesave të kredive me depozitat dhe i interesave të overdraft­it me depozitat për gjithë sektorin bankar është shumë i lartë. Krahasuar me 8 vendet e rajonit në lidhje me spread­in e interesave të kredive me depozitat, Shqipëria radhitet e katërta, duke lënë pas vendet si Mal i Zi, Kosova, Serbia dhe Bullgaria, të cilat kanë spread­in apo diferencën mes interesave të kredive dhe depozitave me të vogël”, sqaron Autoriteti i Konkurrencës.

Në raportin vjetor që institucioni i ka nisur Kuvendit, njofton deputetët se do të hapë procedurat për hetim të përgjithshëm të sistemit bankar për fitimet e larta të bankave. Gjatë hetimit, Autoriteti do të analizojë mundësinë që këto shërbime të mund të transferohen të shoqëritë e kursim kreditit.

“Analiza e konkurrencës do të vlerësojë zëvendësueshmërinë e produkteve bankare depozita, kredi, overdraft etj., me produktet e subjekteve jo banka, shoqëritë e kursim kreditit dhe unioneve të tyre, të cilat ofrojnë produkte të ngjashme”, thuhet në raport. Në hetim do të përfshihen edhe vlerësimi për sjelljen e bankave të nivelit të dytë në lidhje me komisionet, normat e interesit të aplikuara, për produkte të ndryshme si hapje llogarie, depozitë, kredi, transferta bankare dhe krahasimi mes tyre, si dhe aspektet e sigurimit të kredive”. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: