Për më pak se dy javë, autostrada bujqësore Bujqës-Jagodinë, do të jetë e aksesueshme plotësisht, e cila i shërben një komuniteti prej 20 mijë banorë, por gjithashtu ndihmon në daljen e prodhimeve bujqësore në treg.

Zona e Jagodinës njihet si një nga zonat më bujqësore të Elbasanit dhe shumica e fermerëve kanë kontrata për eksportin e prodhimeve të tyre, por problem paraqiste rruga e cila pengonte tregtarët të merrnin prodhimin.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe deputetët inspektoi ecurinë e punimeve teksa theksoi rëndësinë e përfundimit sa më parë të këtij investimi, por mbi të gjitha me cilësi.

“Ky është një investim shumë i madh i Qeverisë Shqiptare sepse kjo është një nga zonat më të rëndësishme bujqësore, jo vetëm të Elbasanit, por të të gjithë Shqipërisë. Këtu ka fermerë që kanë kontrata me kompani të huaja për eksportin e prodhimeve të tyre dhe e gjithë zona ka një kontribut të veçantë në nivelin e eksporteve.

Shqetësimi kryesor i këtyre fermerëve ishte sepse prodhimi i tyre i madh nuk aksesohej drejtpërdrejt nga blerësit ndërkombëtarë për shkak të mungesës së një rruge. Tashmë jemi në fazën që rruga po përfundon. E kemi ndjekur hap pas hapi cilësinë e punimeve, sepse për ne kjo është pjesa më e rëndësishme.”, deklaroi Balla.

Gjithashtu Balla tha se Shqipëria reale është ajo e njerëzve të thjeshtë e punëtorë dhe e një qeverie e cila nuk i ka ndërprerë punët publike pavarëisht situatës së vështirë që solli pandemia.

“Kjo është Shqipëria reale, Shqipëria me halle e probleme, por edhe me punë që vijojnë çdo ditë.
Shqipëria nuk është ajo që rrëfehet në mënyra të ndryshme në studio televizive darkë për darkë, por Shqipëria reale është Shqipëria e njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm të cilët punojnë gjithë ditën dhe mirëpresin investimet ne dobi të tyre.”, tha Balla.

Për herë të parë pas 30 vitesh, përpos rrugës, në këtë zonë u investua për pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse. Sipas banorëve, më në fund pas shumë e shumë vitesh, uji vaditës shkoi në qendër të Jagodinës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb