Lamborghini raportohet se ka në plan të lançojë modelin më të fuqishëm Aventador deri tani.
Disa fotografi të publikuara së fundmi tregojnë modelin e ri të Lamborghinit, Aventador SV, që pritet të debutojë në muajin mars në panairin Geneva Motor Show.

Termi “SV- Super Veloce” tregon versionin më të fuqishëm të ndonjë modeli të caktuar të Lamborghinit. Herën e fundit që u pa një veturë me këtë term ishte Murcielago LP670-4 SV, i cili ishte lansuar në vitin 2009.

Në fotografi shihet se modeli i ri ka formën më të “mprehtë” dhe ndryshime të mëdha në pjesën e pasme. Aventador SV duket se është fotografuar gjatë setit të xhirimeve për reklamën prezantuese.

Aventador SV i ri pritet të vijë me motor 6.5 litër V12 dhe me 690 deri në 750 kuajfuqi. Kjo pritet të mundësojë shpejtësinë deri në 354 kilometra në orë, ndërsa shpejtësinë prej 100km/orë Aventador SV pritet ta arrijë në vetëm 2.8 sekonda. Kyç në këtë shpejtësi konsiderohet të jetë “dobësimi” i veturës për 100 kilogramë.

Modeli SV pritet të kushtojë rreth 460 mijë euro, ndërsa detajet zyrtare pritet të konfirmohen gjatë javëve në vijim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb