Nga: AVNI ALCANI*
“Kanga e ilamllive” është një nga krijimet popullore më të bukura dhe më të ndjera të folklorit shqiptar. Kjo këngë ka qenë gati e panjohur për studiuesit e folklorit shqiptar, pasi ajo nuk është e përfshirë në asnjë nga botimet e Akademisë së Shkencave dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike. Kënga është regjistruar në vitet ’50 të shek. të 20-të në fshatin Kostenjë të Çermenikës nga zoti Shahin Zharri (1915-1990), mbledhës i pasionuar i folklorit shqiptar. Sh. Zharri është i njohur në folkloristikën shqiptare dhe për regjistrimin e këngës historike “Kanga e Gjorq Golemit – Princit të Sopotit”, e cila ka qenë botuar për herë të parë prej tij në vitin 1938, në revistën “Shkolla Kombtare” (Tiranë 1938).

Nëpërmjet vargjeve të këngës së ilamllive poeti popullor përshkruan vuajtjet e fshatarëve, që, siç thotë edhe kënga, pushteti turk i kishte shkaktuar nëpërmjet “haraçeve” dhe “vergjive”, gjatë periudhës së Tanzimatit. Shahin Zharri, në një shkrim kushtuar kësaj kënge, nuk jep asnjë të dhënë se kujt i kushtohej kënga, kush ishin krijuesit e saj, si dhe prej kujt e regjistroi këngën e ilamllive. I vetmi informacion i dhënë prej tij është një shënim i vogël, në të cilin ai shkruan se: “Kënga është e dëgjuar në Kostenjë dhe quhet “Kanga e ilamllive” (Zharri, 1990). Në dijeninë tonë, kjo këngë nuk është njohur në fshatra të tjerë të krahinës së Çermenikës dhe as në krahina të tjera fqinje. Ajo që tërheq vëmendjen e saj është titulli i këngës, e cila quhet “Kanga e ilamllive”. Në vështrim të parë duket si një titull kënge e riteve myslimane, të quajtura ilahi, dhe na shkon mëndja se ndoshta autori i regjistrimit mund të jetë gabuar, kur ka shkruar ilamlli për ilahi. Duke qenë se kënga është regjistruar në fshatin Kostenjë, që është një fshat i ritit bektashi, kemi menduar gjithashtu se ajo mund të jetë një këngë e këtij besimi, por përmbajtja e këngës e kundërshton hamendësinë tonë, pasi ajo nuk ka asnjë element fetar të ritit bektashi, as në formë e as në përmbajtjen e saj.

Së pari, do të na duhet që të analizojmë në mënyrë të veçantë emrin ilamlli, pasi është pikërisht ky emër që na intrigon në këtë këngë. Nga ana morfologjike, emri ilamlli është emër i përbërë, i cili është formuar nga emri ilam dhe prapashtesa me origjinë turke -lli. Emri ilamlli nuk ka ndonjë kuptim në gjuhën shqipe. Emrat me prapashtesën turke -lli, të cilët i bashkëngjiten një emri që tregon një vend, zakonisht tregojnë një banor që është prej atij vendi, i cili mund të jetë një fshat, qytet, apo krahinë etj. P.sh., emri elbasan-lli, tregon një banor që është nga qyteti i Elbasanit, apo emir skrapar-lli, për një banor që është nga krahina e Skraparit. Pra, ilamllitë në rastin tonë, ishin banorët e krahinës, ose qytetit, të Ilamit. Ilami është një provincë kurde që ndodhet në Iranin e sotëm dhe ka si kryeqendër qytetin me të njejtin emër (Ilam).

A është “Kanga e ilamllive” një këngë me origjinë kurde? Nuk e përjashtojmë mundësinë që kënga, në fillimet e saj, mund të ketë qenë një krijim kurd. Nëse kënga e ilamllive është me origjinë kurde, ç’rrugë duhet të ketë ndjekur dhe si mund të ketë shtegtuar ajo nga Irani i largët në Kostenjë të Çermenikës? Për fat të keq ne nuk kemi asnjë të dhënë që të na dëshmojë se si ka shtegtuar kënga e ilamllive kurdë në Shqipëri, por supozojmë se kënga duhet të ketë pasur një udhëtim interesant, e cila, gjithnjë sipas mendimit tonë, ka ndodhur nëpërmjet kontakteve që kanë pasur nizamët shqiptarë me nizamët kurdë gjatë shek. të 19-të. Shqiptarët dhe kurdët ndanin të njëjtin fat të përbashkët, pasi Shqipëria e asaj kohe dhe Kurdistani ishin dy vende të pushtuara nga e njëjta perandori, Perandoria e madhe Osmane dhe nizami shqiptar ka gjetur të pasqyruar në këngën e ilamllive veten, familjen dhe atdheun e tij.

Por në vargjet e këngës së ilamllive nuk ka asnjë element të folklorit, apo ambientit oriental, që mund të na kujtojë se ajo është një krijim kurd. Kënga mund të ketë trashëguar nga varianti fillestar vetëm titullin e saj dhe gjatë rrugëtimit ajo është përshtatur me elemente të folklorit dhe të mjedisit shqiptar. Me kalimin e viteve, “Kanga e ilamllive” duhet të ketë pësuar ndryshime të rëndësishme, si në përmbajtje ashtu edhe në formën e saj, duke e transformuar rrënjësisht atë. Varianti i këngës sonë nga Kostenja ka shumë elemente etnografike dhe të ambientit shqiptar, siç janë, p.sh., si toponimet “Shqipëri” dhe “Karadak”, apo përshkrimet e një ambjenti banimi të fshatit shqiptar, përshkrimet e veshjeve, përshkrimet e ambjenteve të një familje fshatare të kohës etj. Në vargjet: “Aman Babë, ç’bon n’kët’ Shqipni?/ Kem ka i dele, dy-tri dhi,/ Dy pendë dhe nën nji shtëpi,/ Gjysma mal e gjysma bri,/ Shtat’ kunata vesh’ me i li…” etj., janë elemente folklorike, që përshkruajnë një ambient dhe një familje tipike të një fshati shqiptar të shek. të 19-të. Të gjitha këto fakte na shtyjnë të mendojmë se “Kanga e ilamllive” është një krijim i folklorit shqiptar.

Si tekstin e këngës, ashtu edhe të dhënat e tjera, si vendi ku është regjistruar, ambienti historik në të cilin është krijuar etj., i kemi nga një artikull i nxjerrë nga libri “Historia e Lashtë e rrethit të Librazhdit” (1990), i autorit Shahin Zharri. “Kënga e ilamllive, – shkruan Sh. Zharri në këtë libër, – i përket kohës kur përgatitej ekspedita kundër trazirave që shkaktonte populli…” (Zharri, 1990). Këto trazira kanë të bëjnë me kryengritjet e armatosura që kishin filluar në mesin e shek. të 19-të në disa krahina të sanxhakut dhe kazasë së Elbasanit, si në Shpat, Çermenikë dhe Krastë, të cilat kishin si qëllim kundërshtimin e Tanzimatit. Këto kryengritje dëshmohen edhe nga një dokument osman, në të cilin shkruhet: “Përveç qytetit të Elbasanit, kryengritja u shtri në krahinat e Shpatit, Çermenikës e të Krastës” (Dokumenta osmane, Tiranë 1978). Kryengritjet, të cilat u udhëhoqën nga prijësat popullorë Sulë Xhaboli, Ymer Tusha, Hasan Alia, Selman Lleshi, Maksut Kenga, vëllezërit Ymer dhe Limon Cani, Hysen Toda, Myslim Alcani etj., janë pasqyruar në disa nga këngët historike më të bukura të folklorit çermenikas. “Kanga e ilamllive” ka qenë preludi i të gjitha këngëve që u krijuan në vitet e mëvonshme, të cilat kanë pasqyruar me vërtetësi si ngjarjet historike, ashtu dhe kryengritjet popullore kundër Tanzimatit, të zhvilluara në krahinën e Çermenikës nga shek. i 19-të dhe deri në fillim të shek. të 20-të.

“Kanga e ilamllive” shpreh një revoltë kundër vuajtjes dhe varfërisë ekstreme. Ajo është ndërtuar në formën e një vajtimi, e cila, me pak vargje, paraqet si në një pasqyrë gjendjen e rëndë dhe të vështirë ekonomike në të cilin ndodhet familja e fshatarit shqiptar në mesin e shek. të 19-të. Në vargjet e këngës shprehet dhimbja e madhe e fshatarit çermenikas për atdheun dhe familjen e tij, e cila ishte shkaktuar nga “haraçet” dhe “vergjitë”.

Të tetë vargjet e këngës kanë rimë të puthitur, duke i dhënë asaj një vlerë të veçantë artistike. Ato shprehin një dramacitet shumë të fuqishëm dhe kanë emocione të mëdha. Në vargjet hyrëse të saj, si: “Aman, Babë, ç’bon n’ kët’ Shqipni;/ Lyp haraç e lyp vergji?”, fshatari i drejtohet vetë Sulltanit të Turqisë, të cilin ironikisht e thërret “Babë”, duke e akuzuar atë direkt si shkaktarin kryesor të lëngimit të atdheun të tij, Shqipërisë. Në vargjet e tjera të këngës përshkruhet mjerimi që ka pllakosur familjen e fshatarit, në të cilat thuhet: “Kem’ ka i dele, dy tri dhi,/ Dy pen’ dhé nën shtëpi;/ Gjysma mal e gjysma bri;/ Shtatë kunata veshë me i li;/ Katër vllazën kapaklli…”. Këto janë vargje të mrekullueshme, në të cilat shprehet me realizëm dhimbja e madhe që i kishte shkaktuar varfëria familjes së fshatarit çermenikas.

Në vargun e 8-të dhe të fundit të këngës: “Karadakut i rrimë karshi…”, Karadaku është Mali i Zi i sotëm, duket sikur nuk ka lidhje me përmbajtjen e këngës. Sh. Zharri, në artikullin e tij të sipërpërmendur, shkruan se ky varg ka të bëjë me luftën që bënë shqiptarët kundër Malit të Zi dhe se kënga i kushtohet mbrojtjes së i bënë shqiptarët krahinave të Hotit dhe Grudës, kundër sulmeve malazeze. “Kënga i drejtohet Sulltanit, – shkruan Sh. Zharri, – (pasi ai) nuk na mpron edhe nga lakmitarët e tokave tona, që vetë po u dalim zot… Është fjala e luftës që bënë shqiptarët kundër Karadakut që kërkonte Hot e Grudë…” (Zharri, 1990). E kemi të vështirë ta pranojmë këtë hipotezë të zotit Zharri, pasi, siç e thamë edhe më sipër, kënga është një krijim shumë më i hershëm se sa ngjarjet që kanë ndodhur me Malin e Zi, të cilat janë të fillimit të shek. të 20-të. Kemi mendimin se vargu i fundit nuk i përket këngës “Kënga e Ilamllive” dhe duket që është një shtesë e një sajesë e pakuptimtë. Ky varg duhet të jenë huazuara nga ndonjë këngë tjetër. Huazimet e vargjeve nga një këngë në një këngë tjetër janë fenomene të njohura në folklorin shqiptar dhe në veçanti në atë çermenikas.
Struktura e këngës është e thjeshtë dhe është e ndërtuar në formën e elegjisë. Kënga ka gjithsej 8 vargje dhe është krijimi më i shkurtër e kësaj gjinie në folklorin çermenikas. Vargjet e këngës janë monokolonë dhe kanë 8 rrokje me rimë të puthitur.
Më poshtë po japim tekstin e plotë të këngës:
KANGA E ILAMLLINJVE

Aman, Babë, ç’bon n’kët Shqipni ;
Lyp haraç e lyp vergji ?!
Kem’ ka i dele, dy tri dhi,
Dy pen dhe nën shtëpi,
Gjysma mal e gjysma bri,
Shtatë kunata vesh’ me i li ;
Katër vllazën nji kapaklli.
Karadakut i rrimë karshi…
Kostenjë-Çermenikë. Mbledhur nga Shahin Zharri.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: