Për shkak të tensioneve me Rusinë, një numër vendesh anëtare të NATO-s po rrisin praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore. Ndërkohë disa vende kanë tërhequr pjesërisht personelin diplomatik nga Ukraina.

Si pasojë e rritjes së tendosjeve me Rusinë, një numër vendesh anëtare të NATO-s po rrisin praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe po ndërmarrin aksione të tjera kujdesi. Aleanca kumtoi se duhet të dërgojë në këtë rajon avionë luftarakë dhe anije detare shtesë në Detin Baltik dhe vendet e Evropës Lindore, si Lituania dhe Bullgaria. Sfondi i këtyre aksioneve ushtarake është frika e një pushtimi të Ukrainës nga Rusia,e cila ka grumbulluar trupa të shumta në kufi me vendin fqinj.

Në deklaratën e NATO-s thuhet se vendet si Danimarka, Spanja dhe Holanda duan të rrisin praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore. Ndërsa SHBA dhe Franca po mendojnë ta bëjnë këtë. Ndryshe, SHBA ka kërkuar prej diplomatëve të vet në Kiev të Ukrainës të shtojnë kujdesin e pjesërisht edhe të tërhiqen nga vendi, për shkak të rrezikut të një konflikti të ri në këtë vend.

“NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti njoftimin e vendeve anëtare. “NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe mbrojtur të gjithë aleatët”, tha norvegjezi.

Gjermania nuk do të tërheqë personelin e ambasadës së saj nga Ukraina për momentin. “Siguria e punonjësve është prioriteti kryesor”, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. “Por është gjithashtu e rëndësishme që ne të mos kontribuojmë në ngritjen e pasigurisë. Përkundrazi duhet të vazhdojmë të mbështesim qeverinë ukrainase shumë qartë dhe, mbi të gjitha, të ruajmë stabilitetin e vendit.”

Situata është duke u monitoruar vazhdimisht, tha Baerbock përpara se ministrat e jashtëm të BE-së të diskutojnë këtë çështje në Bruksel. Por është gjithashtu e vërtetë se “mbi të gjitha, ne duhet të kemi parasysh edhe situatën ekonomike në Ukrainë”./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb