Nga: SAIMIR MALOKU*
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aviacioni aleat amerikano-britanik dha një kontribut të madh për popullin shqiptar në bombardimin e kazermave, të depove të municioneve, autokolonave ushtarake, mjeteve të blinduara, të aerodromeve, porteve, depove të karburantit, rrugëve dhe urave strategjike, vendndodhjeve të artilerisë tokësore dhe kundërajrore etj. të ushtrive pushtuese gjermane dhe italiane. Gjithashtu ky aviacion aleat dha një kontribut të madh edhe në furnizimet nga ajri të qindra tonë municionesh, armatimesh, lëndësh eksplozive, automatikë, pushkë kundërtanke, pushkë, pajisje radiondërlidhjeje, ilaçe, veshmbathje, ushqime etj. për forcat tona të rezistencës popullore.
Hitleri kishte nxjerrë një urdhër të prerë që të gjithë parashutistët aleatë që kapeshin rob në prapavijat gjermane duhej të asgjësoheshin.
Në hapësirën ajrore të Shqipërisë, të Kosovës dhe të trevave shqiptare kanë fluturuar me qindra avionë aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore në operacione tepër të rëndësishme bombarduese. Operacioni më i njohur ajror aleat i asaj kohe ka ndodhur më datë 1 gusht të vitit 1943 në kuadrin e operacionit të famshëm ajror “Tild Wave” (dallgë jo normale), me pjesëmarrjen e 178 avionëve bombardues të rëndë katërmotorësh amerikanë “B-24” Liberator (me rreze të gjatë veprimi dhe që mbartte 6 tonë bomba secila) dhe me 1751 anëtarë të ekuipazheve të tyre, që janë nisur nga baza ajrore në Bengazi të Libisë duke fluturuar mbi Detin Mesdhe, futur në hapësirën ajrore të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe bënë bombardimin e jashtëzakonshëm kuadratik të fushave të pasura me naftë të Ploeshtit në Rumani. Si pasojë e këtij bombardimi u shkatërrua 40% e kapaciteteve të rafinerive dhe të puseve të naftës në Ploesht, nga ku furnizohej me naftë dhe karburante të tjera ushtria gjermane. Gjatë këtij operacioni ajror u shkatërruan 55 aeroplanë aleatë, u vranë 40 pilotë dhe u kapën robër 220 anëtarë të ekuipazheve që u hodhën me parashutë. Vetëm 88 avionë bombardues “B-24” u kthyen në bazën ajrore të tyre në Libi.
Pas pushtimit të Italisë jugore nga Trupat Aleate në qershor të vitit 1944, në Foxhia dhe në Bari të Italisë u vendos Forca Ajrore e Ballkanit, “Balkan Air Force”, e cila më parë ishte në Bengazi të Libisë.
Vetëm në territorin e Jugosllavisë, Njësitë Speciale për shpëtimin e ekuipazheve të Forcave Ajrore Aleate (ACRU-Aircraft Rescue Unit) kanë arritur të shpëtojnë 2350 pilotë dhe anëtarë të ekuipazheve amerikaneve të këtyre avionëve. Një pjesë e tyre nëpërmjet territorit shqiptar janë dërguar në Itali.
Bazuar në kujtimet e misionarëve amerikano-britanikë që vepruan në vendin tonë si dhe në dokumentet e zyrtarëve kuislingë të Prefekturave shqiptare numri i aeroplanëve amerikano-britanikë të rrëzuar në vendin tonë dhe në trevat shqiptare është më tepër se 40 aeroplanë. Është për t’u përmendur fakti se mjaft pilotëve dhe personelit ushtarak amerikan dhe britanik të këtyre aeroplanëve aleatë të rrëzuar nuk iu gjenden varret edhe sot e kësaj dite.
Po japim disa të dhëna historike të disa aeroplanëve të rrëzuar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë dhe trevat shqiptare.
1. Më datë 7 nëntor të vitit 1940 rrëzohet në vendin tonë një aeroplan britanik. Si pasojë e kësaj tragjedie vdesin rreshterët W. Ellams, G. N. Brooks dhe V. J. Morgan të moshës 24 vjeç.
2. Më datë 15 nëntor të vitit 1940 rrëzohet një aeroplan britanik në vendin tonë, ku vdesin të tre pilotët që gjendeshin aty: tetar D. Stott dhe rreshterët J. G. Stjuart dhe E. B. Childs të moshave 23-vjeçare.
3. Në vitin 1941 rrëzohet një avion britanik në vendin tonë dhe si pasojë u vra piloti, rreshteri D. C. Murrell.
4. Më datën 4 mars të vitit 1941 rrëzohet në vendin tonë një aeroplan britanik, ku vdes piloti Togeri R. N. Kullen. DFC i moshës 23 vjeç.
5. Në muajin shtator të vitit 1943, afër Borshit një aeroplan bombardues “Halifaks” u përplas atë natë në faqen e një mali gjatë rrotullimit të dytë dhe që po sillte disa oficerë britanikë dhe furnizime të ndryshme. Të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit mbetën të vdekur, me përjashtim të një mitraljeri, që shpëtoi për mrekulli dhe që kishte mbetur përkohësisht pa ndjenja.
6. Më datë 8 nëntor të vitit 1943 një aeroplan amerikan transporti “Dakota C-53” në të cilën ndodheshin 13 infermiere, një grup mjekësh të Njësisë Mjekësore 807 të Evakuimit Ajror dhe 4 pilotë amerikanë (afro 30 vetë) i nisur nga Katania drejt Barit të Italisë në ora 9 të mëngjesit për arsye defektesh teknike dhe kushtesh të vështira atmosferike u detyrua të fluturojë në hapësirën ajrore të Shqipërisë. Pranë qytetit të Lushnjës aeroplani u godit edhe nga zjarri kundërajror i artilerisë gjermane dhe si rezultat i kësaj bëri ulje të detyruar dhe tepër të rrezikshme në një fushë misri të korrur në fshatin Peshtan midis Elbasanit dhe Beratit. Për arsye se u dëmtua rëndë një krah i avionit gjatë uljes, ai doli jashtë përdorimit. Falë ndihmës së popullit të kësaj zone i gjithë personeli u strehua në shtëpitë e tyre, duke mos rënë në duart e gjermanëve. Pas dy ditësh qëndrimi në këto familje ata u nisën në qytetin e Beratit, ku u pritën me brohoritje nga populli, dhe më vonë u nisën drejt zonës së Skraparit. Më 27 nëntor të vitit 1943 u bënë përpjekje që të ulej në aerodromin e Gjirokastrës fshehurazi ndonjë aeroplan aleat Velington apo Dakota për të evakuuar për në Itali këtë grup mjekësh dhe infermierësh amerikanë të këtij avioni të rrëzuar. Kjo gjë ishte e pamundur, sepse terreni i pistës së aerodromit ishte i butë dhe i lagësht. Nëpërmjet çetave dhe njësive partizane dhe të Ballit Kombëtar si dhe në bashkëpunim me misionarët britanikë dhe amerikanë u arrit që nëpërmjet bazave të fshehta në bregdet (asaj të Gramës dhe të Panoramës) ky grupim i madh amerikanësh të dërgohesh natën e 9 janarit 1944 në Itali nëpërmjet motovedetave të shpejta aleate.
7. Në muajin janar të vitit 1944, një avion bombardues katërmotorësh amerikanë “B-24” “Liberator” me bazë në Foxha të Italisë u nis për një mision bombardimi në Sofje të Bullgarisë. Ndërsa avioni po fluturonte mbi qytetin e Shkupit, për shkak të zjarrit kundërajror dhe të aeroplanëve gjuajtës gjermanë pësoi shumë dëmtime dhe u detyrua që të merrte itinerarin e kthimit për në bazë për në Itali nga ishte nisur. Gjatë kohës që avioni ishte mbi qytetin e Elbasanit dy nga motorët e tij u prishën dhe u fikën. Piloti filloi të kontrollojë drejtimin e avionit, duke u dhënë kohë anëtarëve të ekuipazhit që të hidheshin me parashutë. Ekuipazhi mbijetoi por u kapën robër nga gjermanët dhe u dërguan në kampet naziste. Asnjë nga anëtarët e këtij ekuipazhi nuk diti se çfarë ndodhi me avionin dhe pilotin e saj. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion për të.
8. Më datë 1 shkurt të vitit 1944, një avioni britanik bombardues 4 motorësh “Halifaks”, gjatë kohës që po përpiqej të hidhte me parashutë oficerë, specialistë si dhe furnizime ushtarake në Staraveckë, i prishen motorët dhe aeroplani u përplas në një zonë malore 2 milje më larg, duke shpërthyer në flakë dhe u dogj. Vetëm njëri pjesëtar i ekuipazhit për mrekulli mbijetoi, sepse u ndodh në pjesën e prapme të avionit që u shkëput nga përplasja. Si pasojë e këtij aksidenti ajror u vranë oficeri R. E. Stanley dhe rreshterët G. Gardner, F. C. R. Burlefinger, D. H. Potter dhe J. L. Devine (inxhinier), të gjithë të moshës afro 21 vjeç. Të gjitha këto viktima u varrosën pranë vendit të avionit Halifaks të rrëzuar.
9. Në fillim të shkurtit të vitit 1944 u rrëzua në vendin tonë një aeroplan britanik dhe u vra piloti, rreshteri E. D. S. Tennant i moshës 31 vjeç.
10. Më datë 30 mars të vitit 1944, në vendin e quajtur Porto Mileno pranë Ulqinit u rrëzua një aeroplan i madh britanik me një ekuipazh me 10 vetë. Menjëherë para rrëzimit të tij, i gjithë ekuipazhi u hodh me parashutë dhe u kap rob nga forcat gjermane që vepronin atje.
11. Më datë 4 prill të vitit 1944, në fshatin Bajzë të Tuzit, rrëzohet një aeroplan ushtarak amerikan që furnizonte partizanët jugosllavë.
12. Më datë 6 prill të vitit 1944, rreth orës 11:00, artileria kundërajrore gjermane qëlloi në drejtim të një skuadriljeje avionësh anglo-amerikanë dhe si pasojë njëri prej tyre u rrëzua në livadhin e kullës së Abaz Kupit, në katundin Luz të Krujës. Si pasojë aeroplani u dogj së bashku me pilotin.
13. Më datë 6 prill të vitit 1944, në vendin e quajtur Lugu i Sukës së Malit të Gjymtit u rrëzua një aeroplan aleat “Caccia” së bashku me pilotin.
14. Më datë 5 maj të vitit 1944, në katundin Kush të Rrafshinës së Hotit u rrëzua një aeroplan britanik katërmotorësh. Pas hedhjes me parashutë, të katër pilotët britanikë u zunë rob nga forcat gjermane, ndërsa njëri prej tyre mundi të largohej.
15. Më datë 10 maj të vitit 1944, në orën 12:30, në malin Germicë u rrëzua një aeroplan i madh amerikan ngaqë dy prej motorëve të tij kishin marrë zjarr. Pas hedhjes me parashutë, i gjithë ekuipazhi i tij prej 10 vetash u zu rob nga forcat gjermane.
16. Më datë 18 maj të vitit 1944, një aeroplani të madh amerikan iu prishën dy motorë dhe si pasojë bëri ulje të detyruar në aerodromin e Podgoricës. Një pjesë e ekuipazhit prej 6 vetash u hodhën me parashutë në fshatrat Trepshë dhe Grudë. Forcat gjermane u vunë në ndjekje të tyre dhe i zunë robër të gjithë ata.
17. Në maj të vitit 1944, një aeroplan bombardues amerikan, pas një aksion bombardimi në Gjermani, u qëllua nga artileria kundërajrore gjermane pranë Vjenës të Austrisë. Edhe pse ishte me defekt ngaqë instrumente e avionit ishin prishur dhe ata nuk e dinin se ku ndodheshin, ky aeroplan arriti deri në hapësirën ajrore të Shqipërisë. Para se të rrëzohej avioni, 8 pjesëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë në malësitë e Tiranës afër Zall-Bastarit, ku ndodheshin pjesëtarët e çetës zogiste të Abaz Kupit e cila i strehoi, dhe me ndihmën e oficerëve britanikë Dejvid Smajli etj., i dërguan në kampin “Transit dhe pushim” në Malin e Zi, nga ku me avion i dërguan në Itali.
(vijon neser ne Gazeta Shqiptare)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: