Një avion bjellorus i mallrave u rrëzua të mërkurën në juglindje të Siberisë, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave në bord.

Avioni Antonov An-12, në pronësi të kompanisë bjelloruse Grodno, u rrëzua dhe mori flakë pranë qytetit Irkutsk.

Shkaku i incidentit nuk është ende i qartë.
“E vetmja gjë që mund të shohim është se, për fat të keq, të gjithë kanë vdekur”, tha Igor Kobzev, guvernator rajonal i Irkutskut.

Zyrtarët bjellorusë thanë se avioni është drejtuar nga një ekuipazh prej tre bjellorusësh, dy rusësh dhe dy ukrainasish. Prokurorët rusë më vonë thanë se në bord kishte edhe dy pasagjerë të tjerë.

Zyrtarët rusë thanë se kanë nisur hetimet për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë së transportit. Aksidentet ajrore nuk janë të rralla përgjatë gjithë ish-Bashkimit Sovjetik, veçanërisht duke përfshirë avionë të vjetruar në rajone të largëta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb