Prej disa orësh shumë pasagjerë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Malpensës në Milano për shkak se avioni i tyre thuhet se ka pësuar defekt. Ndonëse fluturimi i tyre me një nga avionët e Kompanisë shqiptare ‘Air Albania’ duhet të ishte nisur në orën 14:55 nga Malpensa, për të mbërritur në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë rreth orës 17:00, qytetarët vijojnë të presin.

Të shumtë ishin pasagjerë që raportuan në agjencinë e lajmeve BalkanWeb se kishin mbetur që prej mesditës të bllokuar në këtë aeroport, ndërsa autoritetet nuk i japin asnjë sqarim. Ata pohuan se pasi bënë check-in ishin dërguar në avionin e linjës që kishin rezervuar, por nga ora 14:40 deri në 16:40 kishin qëndruar të bllokuar në mjetin e fluturimit, dhe më pas ishin njoftuar të zbrisnin prej aty pasi kishte ndodhur një defekt.

Po ashtu mësohet se pas rikthimit të tyre në aeroport, ata vijojnë të presin pa marrë asnjë sqarim se kur do të mundësohet fluturimi i tyre drejt Shqipërisë. Mes të tjerash pasagjerët raportuan se për të zgjidhur defektin në avion do të vinin teknikë nga Stambolli, ndërsa atyre iu duhet të presin për orë të tëra në aeroport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb