Një aksident avioni ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë herë në një aeroport rajonal në Arizona, ku dy avionë privatë janë përplasur në pistë, duke lënë të vdekur një person dhe duke plagosur tre të tjerë.

Sipas informacioneve, avioni i përkiste këngëtarit të Mötley Crüe Vince Neil dhe aktorit Vince Vaughn. Videot që qarkullojnë në internet kapin momentin kur avioni Learjet 35A i Vince Neil rrëshqet nga pista në aeroportin Scottsdale dhe përplaset me një Gulfstream 200 të parkuar, në pronësi të Vince Vaughn.

Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve të Scottsdale, Dave Folio, konfirmoi se një person kishte vdekur, duke shtuar se forcat e shpëtimit po punonin ende për të çliruar një person nga rrënojat. Në të njëjtën kohë, tre persona të tjerë janë dërguar në spital.

Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) tha se Learjet “doli nga pista gjatë uljes dhe u përplas” në Gulfstream të parkuar. Vince Neil nuk ishte në bordin e avionit të tij në momentin e rrëzimit, por partnerja e tij, Raine Andreani, ishte mes të plagosurve dhe u dërgua në spital.

Raine Andreani, 43 vjeç, partnerja e këngëtarit 64-vjeçar, si dhe shoqja e saj Ashley, i mbijetuan përplasjes dhe u dërguan me urgjencë në kujdesin mjekësor, sipas një burimi që foli për TMZ. Raine Andreani pësoi thyerje të pesë brinjëve, ndërsa qentë në bordin e avionit i shpëtuan përplasjes të padëmtuara, thanë të njëjtat burime.

Grupi konfirmoi vdekjen e pilotit përmes një deklarate në Twitter, duke theksuar se ata do të kontribuojnë në mbështetjen e familjes së tij. “Më parë sot, një avion privat në pronësi të Vince Neil u përfshi në një aksident afër Scottsdale, Arizona. Piloti humbi jetën tragjikisht, ndërsa bashkë-piloti dhe pasagjerët e mbetur u transportuan në spitalet lokale”, thuhet në deklaratë.

Grupi sqaroi se “Vince nuk ishte në aeroplan. Partnerja e tij dhe shoqja e saj kanë mbetur të plagosur, por jeta e tyre nuk është në rrezik. “Ndërsa detajet vazhdojnë të shpalosen, mendimet tona janë me familjet e pilotit që humbi jetën dhe të plagosurit”. Njëkohësisht ai bëri të ditur se së shpejti do të gjendet një mënyrë për të mbështetur familjen e pilotit të ndjerë.

FAA ka nisur një hetim për rrethanat e tragjedisë, ndërsa operacionet në aeroportin Scottsdale janë pezulluar përkohësisht. Ky aksident i shtohet një zinxhiri shqetësues tragjedish të aviacionit që kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë e udhëtimit ajror në Shtetet e Bashkuara.

Pak ditë më parë dhe më konkretisht më 30 janar, një tragjedi ajrore tronditi Uashingtonin, kur një avion pasagjerësh u përplas me një helikopter ushtarak, ku humbën jetën 67 persona. Disa ditë më vonë, më 1 shkurt, një aeroplan transporti mjekësor u rrëzua në Filadelfia, duke rezultuar në shtatë viktima, duke përfshirë gjashtë në bord dhe një në tokë. Për më tepër, të premten e kaluar, dhjetë persona humbën jetën kur një aeroplan i vogël pasagjerësh u rrëzua në Alaskë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb