Autoritetet kolumbiane kanë gjetur kutitë e zeza me të dhënat e fluturimit dhe incizimet e zërave brenda kabinës së pilotëve të avionit të rrëzuar në malet kolumbiane, me një ekip brazilian të futbollit në bordin e tij.

Luis Perez Gutierrez, guvernator i departamentit të Antiokias në Kolumbinë veriperëndimore, ku është rrëzuar avioni, ka njoftuar se janë lokalizuar dy kutitë e zeza. Zyrtarët e aviacionit më vonë e kanë konfirmuar gjetjen e tyre.

Zyrtarët nuk kanë zbuluar se sa kohë do të nevojitet për analizimin e përmbajtjeve të tyre.

Avioni i LAMIA, me 72 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit, po fluturonte nga Brazili, nëpërmjet Bolivisë, drejt Medejinit në Kolumbi, para se të rrëzohej në një zonë të quajtur Serro Gordo, rreth 50 kilometra larg qytetit të dytë më të madh të Kolumbisë.

Avioni po transportonte ekipin e futbollit Chapecoense nga jugu i Brazilit, i cili do të luante në Kupën e Amerikës së Jugut kundër Atletico Nacionalit të mërkurën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb