TIRANE

Është shfaqur sot në Kuvendin e Shqipërisë filmi gjermano-ukrainas “Fluturat metalike” i regjisorit Roman Liubyi në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut. Ai trajton historinë e fluturimit MH17, me 283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit në bord, një Boeing i Malaysian Airlines u rrëzua nga një raketë BUK e kontrolluar nga separatistët pro-rusë teksa fluturonte mbi zonat e Ukrainës Lindore, aty ku filloi lufta në 2014. Nëpërmjet këtij vizualizimi, spektatorit i jepet mundësia ta shohë ngjarjen nga këndvështrime të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, duke lidhur njëkohësisht krimet e së shkuarës me të tashmen.
Por ndërsa filmi u shfaq në shtëpinë e deputetëve për të treguar çfarë ndodh kur krimet nuk dënohen, deputetët munguan.

“Zoti Çashku e di që jeni i mërzitur sot me prezencën, por besoj që ka edhe ajo arsyet e veta që reflektohen në këtë pjesëmarrje. Por ju siguroj në emër të Kuvendit të Shqipërisë se jemi të nderuar që ju kemi sot këtu. Filmi i regjisorit Roman Liubyi është shfaqur në festivale të rëndësishme në Amerikë dhe në Berlin ndaj e konsideroj moment të rëndësishëm që është duke u shfaqur në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë”- ka thënë Ermonela Felaj.

Për ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodomyr Shkurov, shfaqja e tij ka tjetër ndjeshmëri.

“Jam i lumtur që jam në parlament. Prezantimi i sotëm këtu ka disa vektorë por kyesorja është mundësia për t’u thënë njerëzve me vullnet të mirë diçka mbi drejtësinë. Ne e kuptojmë që njerëzit që vdiqën pas rrëzimit të avionit me pasagjerë të fluturimit MH17 nga një raketë ruse, nuk mund t’i kthejmë në jetë, por duhet të bëjmë drejtësi dhe të hetojmë ata që e bënë”. ka thënë ambasadori ukrainas,Volodomyr Shkurov.

Tema e sivjetshme e festivalit është pandëshkueshmëria dhe pasojat e saj. Filmat shfaqen ne Akademinë Marubi dhe në institucione të tjera në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb