Kompozitori i shquar shqiptar Avni Mula festoi dje 90 vjetorin e lindjes në një festë të veçantë ku nuk munguan surprizat.

Vajza e tij, sopranoja e njohur Inva Mula e ka surprizuar të atin me një festë ku kishte mbledhur miq dhe familjarë, si dhe njerëz të njohur të artit dhe kulturës.

Në festimet e ditëlindjes e pranishme ka qenë edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila në disa foto të publikuara në rrjetin social Facebook shkruan “Ardhtë i bardhë ky 90-vjetor, mjeshtër! “Nderi i Kombit”, Avni Mula na rrethoi me energjinë dhe emocionin e “Valsit të Lumturisë”, ku kryefjalë ishte dashuria dhe mirënjohja. Përkulemi me respektin më të thellë për gjithë sa na ke dhuruar!”.

Artisti i Popullit Avni Mula, këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i mjaft këngëve fituese në aktivitete muzikore kombëtare. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula.

Karrierën artistike e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: