TIRANE- Avokatët e Emiljano Shullazit kanë dhënë sot dorëheqje nga mbrojta, duke refuzuar kështu çështjen në fjalë. Duke marrë shkas nga kjo situatë e krijuar, është shtyrë për një datë tjerët seanca për Shullazin, ndërsa ballafaqimi i tij me dëshmitarin Ylvi Beqajt ka dështuar.

Sapo ky i fundit ka hyrë në sallë, avokatët u larguan. “Sigurimi i provës është në kundërshtim me ligjin. Dëshmia e Ylvi Beqajt është e paligjshme”, mësohet të jenë shprehur avokatët.

Në muajin tetor Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se Beqja ka deklaruar se Emiljano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.

Ndërkohë, prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

AKUZAT PER KERCENIM
Emiljano Shullazi ka shkuar të firmosë një kontratë shërbimi me biznesmenin e ndërtimit, ku i ka ofruar shërbime administrative dhe në këmbim të kësaj do të merrte 20% të biznesit. Por gjërat nuk kanë funksionuar kështu, pasi më vonë, personi në hetim, Emiljano Shullazi ka ndërruar mendje dhe nëpërmjet kanosjes, dhunës verbale dhe fizike i ka kërkuar biznesmenit që vlera e pasurisë që do i kalonte, nuk do ishte më në vlerën 20 për qind por 30 për qind.

Nën kërcënimin e armës, biznesmeni është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit.

Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona të cilët lëviznin me disa makina.

Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiljano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb