Dhoma e Avokatisë në Fier ka vendosur të bojkotojë proceset gjyqësore, në shenjë proteste për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në Elbasan pak ditë më parë. Avokatët e Fierit i janë bashkuar vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në këtë bojkot që fillon nga data 26 dhe zgjat deri në datën 28 mars.

“Nuk do të afrojmë asnjë shërbim avokatie me përjashtim të masave të sigurisë dhe asistencës ligjore për të mitur”, deklaroi avokati Ylli Asimetaj. Avokatët e kanë nisur bojkotin e proceseve gjyqësore me kërkesën që të identifikohet autori i vrasjes së kolegut të tyre në Elbasan dhe të zbardhet kjo ngjarje.

Në të kundërt ata paralajmërojnë edhe përshkallëzimin e protestës së tyre. Dhoma lokale e avokatisë Fier numëron rreth 80 avokatë që vendosën të gjithë bojkotin e proceseve gjyqësore me një afat tre ditor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb