TIRANË- Avokati i gjyqtarit Shkëlqim Miri, Ardian Visha ka zbuluar fakte të reja dhe informacione në lidhje me çështjen për të cilën akuzohet klienti i tij por edhe për shumën e parave të gjetur në banesë.

Visha tha se prokuroria nuk solli prova por shfrytëzoi bumin mediatik dhe opinioni negativ i publikut për gjyqësorin. Lidhur me “shumën e madhe” të parave, Visha tha se ajo është relative, duke iu referuar pagave të gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij. Për më tepër, avokati tha se në muajin maj gjyqtari është ekzaminuar me tumor në kokë në Gjermani.

“Ka mungesë relacioni logjik nga Prokuroria, ka një dinamikë prej janarit deri në fund maji, pastaj ka një boshllëk nga karakteri hetimor, pastaj Prokuroria i kërkon gjykatës për të bërë kontroll ne banesë.
Natyrisht shfrytëzimi i bumit mediatik e ka bërë efektin, që u përdor nga prokurori për të kërkuar masën ekstreme. U përdor opinioni tërësisht negativ i publikut për gjyqësorin. Detyrë e prokurorisë të provojë natyrën kriminale të parave të gjetura. Kjo gjë nuk u bë, as në akte, as nuk u provua”, tha Avokati.

“Shuma është relative në kushtet ku jetojmë. Ky gjyqtar ka 25 vite që punon me një rrogë të konsiderueshme. Edhe bashkëshortja me rrogë të konsiderueshme. Ka problematikë shëndetësore. Në fund të majit është ekzaminuar në Gjermani me tumor në kokë. Nuk është e gjitha para e tij, është marrë edhe monedha në shtëpinë e tij jo vetëm kartëmonedha”, deklaroi avokati Visha.

Avokati theksoi se “Po të kishte prova do ishte arrestuar para kontrollit të banesë. Ka qenë 3 herë në kontakt me policinë atë ditë, nëse do kishte rrezik do ishte larguar”.

Lidhur me dorëzimin e parave në një lokal në Fushë-Krujë dhe nëse u provua nga prokuroria, Visha deklaroi se është detyrë e prokurorisë që të prodhojë natyrën kriminale të parave të gjetura dhe t’i lidhë me veprën që atribuohet konkretisht.

“Ky ishte gjyqi i masës së sigurisë. Nuk kishte asnjë element provator që lidh marrjen e parave nga familjarët me gjyqtarin. Personi tjetër është kushëri i largët i tij”, tha avokati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: