Avokati i njohur Maks Haxhia i është bashkuar stafit të universitetit “Luarasi” në rolin e dekanit të Fakultetit të Drejtësisë.

Presidenti i “Hysenbelliu Group”, zotit Irfan Hysenbelliu, pasi i uroi mirëseardhjen në familjen e “Luarasit” u shpreh se Haxhia ka një karrierë të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë, si një ndër ekspertët më të mirë i cili padyshim do vazhdoje të lërë gjurmë te vlerësueshme në përgatitjen se juristeve te rinj tek “Luarasi”.

“Avokati është një person që e njeh kushdo. Vetë më tha që e kam një përgjegjësi që brezi i ri të përgatitet dhe të kenë sfida. Një dekan i cili, vetëm prezenca e tij e shumëfishon emrin, për vetë historinë që ka, çfarë ka arritur, por njëkohësisht është vazhdimisht prezent në sy të qytetarëve, në sy të juristëve, por njëkohësisht dhe në përgatitjen e avokatëve apo kërkesën e llogarisë mbi ta”, tha z. Hysenbelliu.

Rektori i “Luarasit” profesor Et’hem Ruka u shpreh se dekani i ri do mundësojë një impuls të ri në krye të fakultetit të drejtësisë. Ruka përmendi dhe faktin se Haxhia pason në postin e dekanit ish-studenten e tij profesore Rezana Konomi, e cila për 8 vite e kreu detyrën me përkushtim dhe devocion.

“Një figurë me të vërtetë emblematike që e njihni të gjithë, me një karrierë të shkëlqyer në fushën e drejtësisë. Besoj dhe jam i bindur që këtij Universiteti i janë rritur vlerat me profesor Maks Haxhinë. Ai është një vlerë e shtuar për Universitetin Luarasi”, tha rektori Ruka.

Avokati Haxhia u shpreh se është detyrë dhe privilegj për të drejtimi i fakultetit të parë privat të drejtësisë, teksa premtoi se emrin e mirë të “Luarasit” do ta mbante lart.

“Ky universitet është themeluar nga profesori im, i ndjeri z. Luarasi. Ndihem i privilegjuar sepse unë do vazhdoj punën e lënë nga ish-studentja ime që këtu ishte me shumë dinjitet. Kam konstatuar me kënaqësi që universiteti Luarasi ishte në Top, për sa i përket cilësisë së studentëve që vazhdojnë shkollën dhe që marrin licencën dhe mund të them që kanë pasur rezultate shumë herë më të mira se dhe vetë shtetërori, publiku. Shumë nga studentët këtu të diplomuar kanë kaluar në shkollën e Magjistraturës dhe sot janë gjyqtarë dhe prokurorë. Unë shpresoj që kontributi im të jetë ai që unë jam munduar ta bëj gjithmonë në të gjitha fushat”, tha avokati Haxhia.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dekani i ri i fakultetit të drejtësisë tek “Luarasi” njihet për karrierën e gjatë dhe të suksesshme në avokati. Emri i tij si një ndër avokatët më të zotë në vend u bë i njohur gjatë kohës kur ka mbrojtur disa persona të fuqishëm të politikës dhe biznesit në disa prej çështjeve më të bujshme gjatë dekadës së fundit.

Maks Haxhia u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1982. Karriera e tij në fushën e drejtësisë mori krahë në vitet e demokracisë. Ai shërbeu për disa muaj edhe në postin e Prokurorit të Përgjithshëm në 1992. Maks Haxhia drejton prej 22 vitesh Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

Gjithashtu, është anëtar i bordit të Shkollës së Magjistraturës prej vitit 2000. Ai ka dhënë kontribut të madh në hartimin e disa ligjeve të rëndësishme ku veçohet kontributi si anëtar i stafit Teknik në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998.

Gjatë karrierës së tij ai ka kryer disa specializime në Shqipëri dhe jashtë vendit, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit. Është autor i disa librave dhe artikujve shkencorë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb