TIRANË- Me rastin e 1 Majit, ditës së punëtorëve, Avokati i Popullit Igli Totozani në një njoftim për shtyp tha se “sot është një ditë reflektimi për të gjithë ata vendimmarrës të cilët në një mënyrë, apo një tjetër janë të lidhur me të drejtat e punonjësve”.

“Institucioni i Avokatit të Popullit përshëndet reformat dhe masat që synojnë modernizimin e administratës publike dhe zbatimin e ligjit, por këto reforma nuk duhet të sjellin humbjen e vendit të punës për shkaqe të paparashikuara në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës”, tha Totozani.

Duke i kushtuar rëndësi sigurisë dhe kushteve në punë, Totozani tha se “mendimi ynë sot shkon për minatorët dhe të drejtat e tyre duke filluar që nga ajo e jetës. Jo të pakta kanë qenë rastet e humbjes së jetës për shkak të kushteve të punës.Duhet të mendojmë për të gjithë ata qytetarë që punojnë në të zezë, pa asnjë mbrojtje ligjore, pa asnjë siguri, pa asnjë sigurim shoqëror, apo shëndetësor”.

Më tej ai ka shtuar se “sot është dita kur seicili prej nesh që ka detyrimin ligjor të përballet me këto probleme të ndjehet keq e të ulë kokën përballë cdo qytetari që i shkelen të drejtat që legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar i’u njeh dhe sanksionon”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: