Institucioni i Avokatit të Popullit ka përpiluar një hetim të hollësishëm në lidhje me deportimin e mësuesit turk Harun Çalik, i akuzuar si mbështetës i Gylen, nga vendi ynë në fillim të këtij viti. Në përfundim të hetimit Avokati i Popullit i ka nisur një listë me rekomandime Policisë së Shtetit duke i kërkuar asaj të marrë masa për respektimin e të drejtave të të huajve në Republikën e Shqipërisë konform me konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas.

Në reagimin e tij, Avokati i Popullit ka konstatuar problematika në lidhje me procedurat e ndjekura dhe dokumentacionin e përpiluar nga autoritetet e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë për rastin e deportimit të shtetasit turk Harun Çalik ndaj i ka rekomanduar Policisë së Shtetit të kryejë një analizë të hollësishme të tyre.

Mes të tjerash Avokati i Popullit ka kërkuar hartimin e një udhëzuesi që do të shërbejë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë nga ana e Policisë së Shtetit. Avokati i Popullit ka tërhequr vëmendjen që situata të tilla si ajo me shtetasin turk Harun Çalik duhet të mos përsëriten në asnjë mënyrë në të ardhmen.
Hetimi i plotë: https://www.avokatipopullit.gov.al/media/manager/website/media/Rekomandim%20per%20policine.pdf

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb